Në ShBA miratohet projektligji që dënon trajtimin ujgurëve myslimanë
Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA ka miratuar një projekt-ligj për të kundërshtuar atë që e quan “ndalim arbitrar, torturë dhe ngacmim” të myslimanëve ujgurë në Kinë.
Projektligji bën thirrje për “sanksione të shënjestruar” ndaj anëtarëve të qeverisë kineze – dhe përmend sekretarin e Partisë Komuniste në rajonin autonom Xinjiang, Chen Quanguo.
Projektligji ende ka nevojë për miratim nga Senati dhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Ministria e Jashtme e Kinës ka reaguar me zemërim, duke e cilësuar këtë veprim si “qëllimkeq”.
Votimi bëhet disa ditë pasi presidenti Trump ka nënshkruar në ligj që mbështet protestuesit prodemokracisë në Hong Kong.
Projektligji për ujgurët “do të shënonte përpjekjen më të rëndësishme ndërkombëtare për të bërë presion ndaj Kinës mbi ndalimin masiv të tyre dhe minoriteteve të tjera myslimane” ka raportuar “BBC”.
Më 25 nëntor disa dokumente të klasifikuara, të dala në publik, tregojnë se si Kina kontrollon jetën e rreth tre milionë njerëzve, të internuar në kampe masive të paraburgimit, në rajonin Ksinjiang.
Dokumentet janë siguruar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë dhe janë publikuar nga 17 medie në të gjithë botën.
Qeveria kineze vazhdimisht ka pohuar se kampet në Ksinjiang rajon i banuar me shumicë ujgure myslimane ofrojnë arsim dhe aftësim vullnetar. Qeveria insiston se në këtë mënyrë i mban myslimanët larg ekstremizmit.