Në Shkodër u mbajt Festivali III Mbarëshqiptar i Poeteshave
Në Shkodër është mbajtur Festivali III Mbarëshqiptar i Poeteshave.
Poeteshat me vargjet e tyre bënë që lulet të çelin në Shkodër dhe të shpërndajnë aromë nga Tirana, Saranda, Korça, Vlora, Prishtina, Deçani, etj.
Dukej sikur puhiza e liqenit të Shkodrës përkëdhelte me ëmbëlsi poeteshat. Kalaja Rozafës shpërndante atmosferë kulturore shqiptarie. Dukej se Shqipëria dhe Kosova kishin fshire kufijtë.
Ky festival u organizua nga Lëvizja vullnetare “Gratë Frymojnë Vlera”.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve në Shkodër, Zija Vukaj, i cili vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë festival, duke i përgëzuar organizatorët për këtë ngjarje dhe duke shprehur respekt për të gjitha poeteshat.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Sarandës, Pajtim Çaushi, ka shprehur falënderim për ftesën dhe ka ftuar poeteshat që të jenë pjesë e një aktiviteti që do ta realizojë kjo shoqatë.
Në këtë festival nder 52 poezi u përzgjodhën 25 të cilat iu nënshtruan vlerësimit të jurisë.
– Çmimi i Parë
Melita Vjerdha – Shkodër
– Çmimi i Dytë
Shefqete Gosalci – Prishtinë
– Çmimi i Tretë
Natasha Xhelili – Sarandë
– Çmim Special
Meri Mezini – Tiranë
– Çmim Special nga Lëvizja “Gratë Frymojnë Vlera”
Klevisa Bardeli – Shkodër
Tre çmimet dhe çmimi i pare special ishin të vlerësuara nga juria prestigjioze: Rozafa Shpuza poete tashme e mirënjohur në mbarë shqiptarinë, e cila është vlerësuar disa herë me çmime të ndryshme. Ermira Alija pedagoge në Departamentin e Letërsisë në Universitetin Luigj Gurakuqi dhe Zyrafete Shala kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve në Ferizaj.
Festivali u moderua nga gazetarja e mirënjohur Kozeta Bruçi e cila si përherë shfaq profesionalizmin e saj duke e bërë aktivitetin të suksesshëm dhe mjaft të bukur.
Gjatë aktivitetit nxënësit e shkollës “Dëshmorët e Prishtinës” performuan disa sekuenca muzikore dhe shoqëruan me kitare të gjitha poezitë që interpretuan poetet.
Emocione të forta na krijoi poetesha këngëtare Shefqete Gosalci me një këngë që përfshiu të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës.
Befasi ishte pjesëmarrja e poetes nga Korça Athina Dino edhe pse kishte ca vite mbi supe, ishte hera e parë që vinte në Shkodër.