Në shkollat e Mitrovicës fillon zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës së janarit
Në shumë shkolla të Komunës së Mitrovicës në harmoni me vendimin që ka marr Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka filluar kompensimi i ditëve të humbura si pasojë e grevës së personelit arsimor.
Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Iset Beka, ka thënë se në shumicën e shkollave e kanë respektuar vendimin e MAShT-it për zëvendësimin e orëve të humbura.
“Shumë shkolla të komunës sonë sot janë duke zbatuar në plotësi vendimin e MAShT-it që të kompensohen orët e humbura gjatë periudhës se grevës së arsimtarëve. Këtë e kemi parë vetë në vizitën që kemi bërë me stafin e drejtorisë në disa nga shkollat tona” ka thënë Beka. Me këtë rast, drejtori Beka ka falënderuar personelin arsimor në këtë shkolla për respektimin e vendimit dhe gatishmërinë që të përmbushin plan programin e punës në procesin arsimor.
Ndërsa zyrtarët komunalë nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) kanë theksuar se vijueshmëria e nxënësve është sikurse në secilën ditë që dëshmon seriozitetin e angazhimit edhe të shkollave por edhe të prindërve dhe vetë nxënësve për të kompensuar ditët e humbura të shkollës.
/Epoka e re/