Në shkrimin ‘Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor’ të Akademik Mehmet Krajës, mes rreshtash vërehet, energjia negative e akumuluar me kohë

04 janar 2023 | 12:46

I shtyrë nga reagimet e shumta këto ditë, kudo nëpër portale dhe nëpër rrjete sociale, e lexova shkrimin ‘Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor’ i cili fillimisht u publikua si një analizë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por pas reagimeve të shumta më vonë për këtë shkrim, për këtë mori përgjegjësinë vet kryetari i Akademisë, Akademik Mehmet Kraja.

Unë nuk pretendoj këtu të bëj një vështrim profesional të këtij shkrimi, por e them këtu opinionin tim personal thjeshtë si një lexues.

Mund të them se është një shkrim interesant, vërehet një narrativë e rrjedhshme e paraqitjes së ngjarjeve, janë zgjedhur me kujdes disa pikë vështrime të rëndësishme për të ardhur deri te opinioni për atë që po ndodh sot këtu dhe në hapësirën përreth nesh. Është një analizë kuptimplotë, edhe pse jo aq e thellë, por e rrjedhshme, qe përfshin çështje që nga antikiteti i hershem e që ndërlidhen me Kosovën e Ballkanin, Betejën e Kosovës, Mitin serb për Kosovën, rolin e Kishës Ortodokse Serbe dhe rolin e Rusisë në politikën serbe.

Por si i tillë është larg të qenit një shkrim akademik dhe i Akademisë. Është një shkrim i cili më shumë ka elemente të një analize gazetareske, madje mund të themi sipërfaqësore, i cili nuk përmban referenca për dokumentet dhe raportet në të cilat thirret, si dhe të atyre çështjeve e ngjarjeve në të cilat thirret, dhe si një analize, rezulton se nuk ka marrë aprovimin e akademisë për publikim.

Ky shkrim është një opinion personal i autorit për realitetin politik në vend dhe gjykimin e tij, madje të njëanshëm të ngjarjeve, me tendencën për të favorizuar dikë në skenen politike dhe akademike aktuale dhe duke dëmtuar dikë tjetër. Dhe kjo duket qartë se bëhet qëllimshëm.

Mes rreshtash vërehet, energjia negative e akumuluar me kohë tek autori, i cili si duket ka pritur momentin ta thotë, me një tendencë të shprehur te tij për njollosje të të tjerëve.

Ai nuk i bën nder askujt në skenën aktuale politike me shkrime të tilla që reflektojnë ndarje e përçarje politike e fetare, që ndjellin mosbesim dhe mosrespektim për atë që është bërë për këtë vend e për këtë kohë. Përkundrazi, kjo i bën keq shoqërisë sonë.

Kryetari i Akademisë, në këtë rast Akademik Mehmet Kraja mund të ketë, dhe ka të drejtë, të ketë opinionin e tij për çështje të ndryshme në vend, si qytetar dhe si intelektual, i cili opinion mund të mos jetë në frymën zyrtare të Akademisë, dhe ai mund ta thotë atë, por jo përmes Akademisë dhe jo duke qenë nën petkun e kryetarit te saj. Ai nuk ka të drejtë të tentoj t’ua imponoj opinionin e tij të tjerëve, në pozitën që ka.

Kryetari i akademisë figurativisht konsideroj se është ‘kryeplaku’ i këtij vendi, dhe ashtu si ‘pleqtë’ e mençur dikur do të duhej të flasë me kujdes dhe para se ta flasë, fjalën e tij duhet ta peshoj e mendoj mirë e mirë, se si do të reflektoj ajo fjalë me tutje. Ai duhet të nxis debate të pajtimit e bashkimit e jo sikur në këtë rast dhe me këtë shkrim, duke nxitur debate të përçarjes e ndarjes se shoqërisë sonë, edhe ashtu te brishtë ne përvojën tone shtet ndërtuese.

Por pse e thotë ai këtë, dhe pse e thotë tani?

Padyshim që kjo duket si një goditje dinake dhe e pabesë në shpine në këtë kohë. Në këtë kohë kur në sfond duket një mobilizim i njerëzve me vullnet të mirë, patriotëve të vërtetë të këtij vendi, dhe shoqërisë sonë e miqve ndërkombëtarë, për të qenë afër atyre që ishin prijës në luftën tonë për liri e pavarësi, përkundër një propaganda të paparë të armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë sonë. Në këtë kohë na vjen një shkrim i tillë i cili e ndan dhe e përçan shoqërinë tonë edhe më shumë. Dhe nga kush? Nga kryetari i Akademisë!!!

Nganjëherë heshtja është më e mirë se gjithçka tjetër, ngase koha nuk është për të folur, për më tepër që dëmi mund të jetë më i madh nëse flasim, sikur në këtë rast.

Pasi lexova këtë shkrim, desha të dijë më shumë për vetë autorin, desha të dij më shumë se çfarë e ka shtyrë atë të shkruaj një pamflet të tillë, dhe prej nga buron ky mllef i tij.

Lexova çfarë ka thënë ai për veten e tij dhe çfarë kanë thënë të tjerët për të. Ai duket sikur ka një inat të grumbulluar me vite kundër kolegëve të tij të profesionit e politikës, vërehet një injorim i tij shfaqur ndaj të tjerëve, nje ego e theksuar në shkrimet e tij ne kuptimin se ai qëndron më lartë se të tjerët.

Dhe pse është kjo kështu?

Si duket atë e mundon fakti që nuk ka dhënë kontributin e tij në kohën kur është dashur të jepet dhe tani mundohet të shfaqet si një ‘hero’ pas lufte.

Nëse është ashtu, ku ishte ky njeri ‘i ditur’ kur ky vend po rrëshqiste ngadalë dhe pakthyeshëm drejt Beogradit, si njeri i ditur që din t’i lexoj ngjarjet, a mori guximin të fliste, të shprehej për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e ish Jugosllavi atëherë kur në rrethin ku jetonte ky, flitej për këto. Ky ishte ‘asnjanës’ siç thotë vet, megjithëse të tjerët thonë se ai ishte në anën e kundërt, në kohën kur të tjerët për fjalën dhe angazhimin e tyre po burgoseshin e po vuanin nëpër burgjet serbo sllave, Ai po i gëzonte benefitet e të qenin i dëgjueshëm dhe jo kundërshtues ndaj politikave diskriminuese dhe shkombëtarizuese të Serbisë ndaj Kosovës, në kohën kur në këtë vend po vlonte përpjekja për te nxjerrë këtë vend nga kjo rrjedhe e gabuar historike, ku me vetëdije apo pa te një pjese e madhe e klikës udhëheqëse e akademike kosovare ishin bere bashkëpunëtor

Ishin një grusht djem e vajza të reja që u ngritën, rrokën armët dhe ua prishen këto plane ogurzeza këtyre akademikeve e profesorëve dhe rrjedha e ngjarjeve ne këtë vend falë atyre, mori kahje tjetër.

Këta djem e vajza që kryeakademiku Mehmet Kraja flet me përbuzje për ta në shkrimin e tij që pretendon se është analizë, me luftën e tyre heroike ia kthyen ne vend dinjitetin këtij vendi. Aktualisht disa nga ata po gjykohen dhe madje mund edhe te dënohen, përballje një fushate te pashembullt te armiqve dhe kundërshtarëve te lirisë e pavarësisë se këtej vendi, por ata do te mbeten përgjithmonë ne kujtesën e këtej populli dhe do te mbeten heronj ne historinë e këtej vendi. Ndërsa ata qe kane qëndruar anash në këto ngjarje historia do t’i dënoj patjetër.

Në këtë jetë nuk ka më mirë sesa të jesh i pozicionuar drejtë dhe me popullin tënd.

Ndërsa në mendjen time, derisa lexoj këto, më vjen ‘Sharraxhiu’, ky shqiptar me sharrë në krahë, i lodhur e leckosur, i cili u pret drutë zotërinjve në Beograd, dhe ajo që kisha lexuar më parë se si kishin jetuar shqiptarët në ish Jugosllavi, si qytetar të rendit  të dytë e të tretë.

Më pas iu ktheva edhe një here reagimeve ndaj këtej shkrimi, dhe vetëm reagimi dhe distancimi i akademikëve të tjerë deri diku më pëlqeu, të cilët ishin thirrur në argumente edhe pse pak si reagim i vonuar dhe vetëm pas reagimeve te opinionit te gjerë. Të tjerët në reagimet e tyre, m’u dukë më shumë ishin lëshuar në një gjuhë fyese, jo akademike dhe jo në kundër argumente.

Dhe, krejt kjo nuk duket mire.

Reagime ka vetëm nga grupet politike e fetare, të cilat janë atakuar nga ky shkrim, dhe jo nga profesionistet.

Kështu do të jetë, derisa këtu nuk do të ndodh lustrimi për atë se kush çka ka qene dhe kush ka qenë. Dhe derrat, do te na shiten si qengja. I përvuajturi e i privilegjuari i asaj kohe do të kenë pretendime të njëjta për këtë pretendime të njëjta për këtë trashëgimi, e ndërsa patrioti e tradhtari do të debatojnë në të njëjtën tavolinë. Përfundimisht, nuk pretendoj ta kundërshtoj në argumentet e tij, krye akademikun Mehmet Kraja, por nuk pajtohem me qasjen e tij selektive, përjashtuese, diskriminuese e përçarëse. Dhe, për më tepër debatin që ka ngjallur ky shkrim. Për këtë, Mehmet Kraja dhe të tillët si ai nuk meritojnë të jenë në krye të institucioneve të këtij vendi. Për këtë ai duhet të shkoj.

(Autori i këtij artikulli është Musa Gashi, lexues i rregullt i gazetës “Epoka e re”).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën paraprake në Gjykatën Themelore në Prizren, Dibran Hoxha…