Në Shkup përurohet libri “Fitorja diplomatike” e Sabri Kiçmarit
Sot në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në prani të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ministrit të Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Arbër Ademi, deputetëve, drejtorë institucionesh, profesorëve dhe studentëve të UNT-së, u promovua Libri “Fitorja diplomatike”, e autorit prof. dr. Sabri Kiçmari.
Libri “Fitorja diplomatike”, e Kiçmarit është përmbledhje kujtimesh nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe dëshmon për kontaktet e para të UÇK-së me kancelaritë evropiane.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, ka thënë se veprat si kjo e profesor Kiçmarit janë kontribut i çmuar për studentët dhe gjeneratat e reja, të cilat kanë mundësi të njihen për së afërmi me veprimtarinë e diplomatëve shqiptarë, si dhe me aftësitë e të komunikuarit dhe zgjidhjes së problemeve përmes dialogut.
Recensuesi i librit, Agron Buxhaku, ka thënë se gjatë veprimtarisë së 30 viteve më parë, as që ka mund të paramendohet se në qendër të Shkupit, në një universitet publik në gjuhën shqipe, siç është UNT-ja, do të mund të promovohet një libër dedikuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton “zhurnal.mk”.
Autori i librit, Sabri Kiçmari, ka thënë se ishte kyçur në diplomaci me vendim të LPK-së dhe pas fillimit të luftës si përfaqësues politik me vendim të UÇK-së.
Atij i ishte dhënë detyrë të shkon në Gjermani dhe të studion për proceset e luftërave çlirimtare të popujve të ndryshëm.
Kiçmari ka thënë se në çdo takim që ka pasur me diplomatë të huaj ua ka bërë të ditur se në rrafshin institucional nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së çlirimit të Kosovës.