Në Shqipëri numri i vizitorëve nga Kosova është rritur 14 për qind

23 gusht 2019 | 12:59

Shifrat e korrikut dëshmuan se sezoni veror po i jep një shtysë turizmit hyrës edhe për këtë vit. Instituti i Statistikave raporton se Shqipërinë e vizituan afro 1.2 milionë turistë të huaj, në rritje me 14.5% krahasuar me korrikun 2018.

Numri i përgjithshëm të vizitorëve për 7-mujorin arriti në 3.3 milionë, 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Efektin kryesor në rritjen e turizmit gjatë sezonit e ka dhënë shtimi i ndjeshëm i vizitorëve nga Kosova.

Për korrikun, numri i tyre u rrit me 25%, ndërsa për 7-mujorin kaloi pragun e një milionëve. Në raport me vitin e kaluar, numri i vizitorëve nga Kosova është rritur me afro 14% dhe ata përbëjnë rreth një të tretën e numrit të përgjithshëm të vizitorëve të huaj.

Mes të tjerash, kjo tregon se vendosja e taksës së kalimit në Rrugën e Kombit nuk duket të ketë frenuar fluksin e vizitorëve nga Kosova, të paktën deri tani.

Rritje dyshifrore për korrikun regjistroi edhe numri i turistëve nga Anglia, Gjermania dhe Zvicra. Turizmi nga vendet e Evropës Perëndimore ngelet në rritje të kënaqshme edhe për këtë vit, megjithatë turizmi hyrës vazhdon të mbështetet kryesisht në hyrjet e shtetasve nga vendet fqinje, shkruan “scantv”.

Vizitorët nga vendet kufitare përbëjnë rreth 60% të numrit total të vizitorëve të huaj për këtë vit.

Sezoni veror tregon që sektori i turizmit është i orientuar drejt një tjetër viti pozitiv, duke rritur edhe peshën e tij në ekonominë e vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri afro 1.9 miliardë euro për vitin 2018.

Por, nga ana tjetër, edhe turizmi dalës i shqiptarëve po rritet me ritme të larta. Sipas Instat, daljet jashtë vendit u rritën me 11% për korrikun. Për gjithë 7-mujorin, shqiptarët regjistruan gjithsej afro 3.2 milionë vizita jashtë vendit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të…