Në Shqipëri përveç bregdetit edhe liqenet në listën e destinacioneve të preferuara nga turistët
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura Korçë, Gjergji Koki ka publikuar sot pamje nga liqenet akullnajore në malin e Valamarës.
Koki publikoi në rrjetet sociale fotografi të cilat shprehin më së miri natyrën e mrekullueshme malore të trevës Pogradec, Gramsh, Korçë, shkruan atsh. Dhjetëra liqene akullnajore gjenden në malin e Valamarës që bashkon Pogradecin, Gramshin dhe Korçën në lartësinë mbi dy mijë metra nga niveli i detit.
Pogradeci nuk ka vetëm liqenin, por edhe destinacione turistike malore të cilat kohët e fundit janë rizgjuar nga të apasionuarit e alpinizmit dhe jetesës në harmoni me natyrën. Edhe Valamara është në listën e destinacioneve të preferuara të turistëve dhe entuziastëve vendas të natyrës.
Valamara është mal me lartësi 2373 m në kufirin midis rrethit të Korçës, atij të Gramshit dhe të Pogradecit. Në veri kufizohet me Gurin e Topit. Bimësia përbëhet nga pyje ahu e pishe në pjesën e ulët dhe nga kullota të pasura verore në pjesën e sipërme.