Në shqipërim ka vend… për të gjithë!
Nga: Alfred Kola
– Analizë mbi poemën “Korbi” të Edgar Allan Poe-së –
Një njeri i vetmuar përpiqet të lehtësojë “trishtimin e tij, për Lenorën e humbur”, duke e shpërqendruar mendjen me librat e vjetër, të “diturisë së harruar”, megjithatë ai ndërpritet, ndërsa “pothuajse dremit”, nga “trokitja në derën e dhomës”, ndërsa një korb, e le pamend, duke përsëritur të njëjtën fjalë: “Asnjëherë.”
Poe ndërton tensionin në poemë, kur thotë se “çdo thëngjill i veçantë, që po shuhet, krijon fantazmën mbi dysheme”, krijon një gjendje të errët, misterioze, që përgatit lexuesin, për pjesën tjetër të poemës, pasi ajo ka karakteristika gotike dhe përdor fjalë, si “i zymtë” etj. Më vonë, kur korbi i lejon rrëfenjësit të dijë, se nuk ka kuptim kërkimi moralit tek “Asnjëherë”, ai thotë: “Dhe shpirti im nga kjo hije, që shtrihet duke pluskuar në dysheme, do të largohet – asnjëherë.”
Njeriu imagjinon, se korbi ka ardhur ta përtërijë atë nga ankthi i tij dhe imagjinon, se – ashtu si të gjitha bekimet e tjera të jetës së tij – edhe shpendi do të largohet.
Kulmi i poemës arrin, kur rrëfenjësi përballet me botën e tij të hutuar dhe të çrregulluar; dhe në çmendurinë e tij bërtet: “Kthehu tek stuhia dhe bregu Plutonian i natës!”
Poe ka një përdorim të gjerë të fjalorit dhe një përdorim të gjuhës së lashtë poetike, që duket e përshtatshme, meqë poema ka të bëjë me një njeri, që kalon pjesën më të madhe të kohës me librat e “harruar”.
Toni i “Korbit”, të Edgar Allan Poe-s, paraqet një gjendje shumë të dhimbshme të mendjes, meqë depresioni i tij është shkaktuar nga vdekja e një gruaje të dashur. Lexuesi bëhet i vetëdijshëm, për tonin melankolik të Poe-së, për shkak të përdorimit të tij të llogaritur, të simbolizmit dhe shprehjes së gjuhës, përmes refrenit të korbit.
Poe e përshkruan korbin si “bishë mbi bustin e skulpturuar mbi derën e dhomës së tij”. Korbi drejton të gjithë veprimin në poemë, sepse ai tallet dhe e përkrah rrëfenjësin.
“Korbi” është përdorur si person i parë, sepse ai merr ndikim të drejtpërdrejtë nga përvojat e jetës së Poe-së. Nuk do të kishte kuptim të përdorej një njeri, sepse njeriu mund t’i arsyetonte përgjigjet e pyetjeve. Është e rëndësishme, që përgjigjet e pyetjeve, të jenë tashmë të njohura, për të ilustruar torturën ndaj vetes dhe mohimin e rrëfenjësit, për vdekjen e Lenorës. Gjithashtu, fakti, që korbi përsërit vetëm fjalën, “Asnjëherë”, e bën të vështirë bisedën, pasi njeriu, nuk ka kujt t’i përgjigjet; dhe ai nuk ka asgjë më të thellë, për t’u lidhur, që do ta bashkonte atë, me dashurinë e humbur.
Edhe pse rrëfenjësi bën shumë pyetje, si: “Më trego emrin tënd prej zotërie”, gjithçka që korbi thotë është “Asnjëherë”, sepse ai e denjon të thotë, se Poe, nuk do ta shohë më dashurinë e tij të humbur, “Lenorën”. Korbi thyen shpresën e pakët, për të parë dashurinë e tij përsëri. Kjo është shënja e fajit të meshkujve, i cili është torturues për rrëfenjësin dhe trokitja e përsëritur e çon atë në çmenduri dhe ia bën lëmsh mendimet dhe e bën inkoherent.
Poema mbaron me një seri strofash të njëpasnjëshme, që përfundojnë me vargun “Gjegjet Korbi Asnjëherë”, që tregon përgjigjen e pandryshueshme dhe të palëvizshme prej korbit, në gjendjen e errët të njeriut.
Korbi është simbol i kujtimit të zymtë të rrëfenjësit, për dashurinë e tij të humbur; diçka e errët dhe e keqe; përveç kësaj, shihet si një paralajmërues i vdekjes. Një simbol tjetër është busti i Paladës – perëndeshës së Urtësisë – e cila është simbolike, sepse ai e çon rrëfenjësin të besojë se korbi flet nga mençuria.
Kur Poe shkruan, “dallon qartë se ishte në dhjetorin e zymtë …” mesnata dhe dhjetori simbolizojnë mbylljen, sepse mesnata është ora e fundit e ditës dhe dhjetori është muaji i fundit i vitit, i cili gjithashtu përfaqëson parashikimin e diçkaje dhe një ndryshim, që do të ndodhë.
Dhoma nënkupton vetminë e rrëfenjësit dhe dhimbjen që ndjen, nga humbja e Lenorës. Dhoma është e mirë mobiluar dhe i kujton atij dashurinë e humbur, megjithatë, në kontrast me qetësinë në dhomë, stuhia përjashta përdoret për të theksuar izolimin e njeriut.
Gjatë gjithë poemës “Korbi”, Poe portretizon një ferr personal, që ai duket se kalon. Ai përdor përshkrime përndjekëse, “një paralelizëm të pakëndshëm mes jetës së tij dhe poemës, dhe eksplorim mahnitës e të qëllimshëm të simbolizmit dhe situatës, duke e bërë lexuesin të shohë brenda sferave e çmëndurisë e të zbulojnë shpirtin, i cili është kënaqësi, por edhe çudi. “Kjo do të thotë , se ishin ndjenjat e depresionit dhe çmendurisë, që Poe ndjeu gjatë jetës së tij dhe simbolizmi, që ai përdor, thekson situatën e tij, e cila e ndikoi dhe frymëzoi atë të shkruante poemën “Korbi”.
***
KORBI
Nga: Edgar Allan Poe
Përktheu: Alfred Koha
Dikur n’mesnatë i trishtuar, tek po mendoja i lëshuar,
Mbi vëllime në harresë, aq kurioz për dijen e vjetër,
Më varej koka, i dremitur, seç u dëgjua një e trokitur,
Te derë e dhomës duke kërcitur, duke trokitur dikush tjetër.
Belba nën zë “ndonjë vizitor” troket te dera, e kush tjetër-
Vetëm kaq, asgjë më tepër.”
Ah, e kujtoj, bile shumë qartë, dhjetori ishte i acartë,
Çdo thëngjill gati në të shuar, hijen përdhe e kish lëshuar.
Agimin prisja me padurim;—më kot kërkoja një huazim
Me libra të ndalja at’ trishtim—për Leonorën e rrënuar—
Për vajz’n e rrallë të mrekulluar, nga engjëjt Leonorë emërtuar—
Këtu përherë emërshuar.
Dhe i pasigurt n’trishtim të butë, fësh fësh i perdes së purpurtë
Më shtiu tmerre fantastike, që unë kurrë s’i pata ndierë;
E kështu, zemrën për ta fashitur, qëndrova duke përsëritur,
“Është vizitor që lutet t’hyjë në dhomën time nga kjo derë-
Vizitor i vonë që lyp të hyjë në dhomën time nga kjo derë;—
Asgjë më tepër, dhe k’të herë.”
Tash shpirti im m’i fuqizuar; jo më gjatë duke ngurruar,
“Zot’ri,” i thashë, “a Zonjë, vërtet që unë faljen ta lyp me zë;
Por fakti është kisha dremitur, ti erdhe lehtas duke kërcitur,
Erdhe zalisur duke trokitur, në derë trokitjen ti po ma lë,
S’isha i sigurt t’ju kem pikasur”—prandaj dhe derën hapur e lë;—
Errësirë aty, dhe asgjë më.
Thellë në terr duke vështruar, ndenja gjatë, i frikësuar,
Me dyshim ëndrrat t’ëndërroja, guximtar ëndrrash s’ishte asnjë;
Por ishte heshtje e pambaruar, heshtja as shënjë s’pati dërguar,
E vetmja fjalë që ish shqiptuar, “Leonorë” thashë me pakëz zë,
Jehoi jehona fjalën nën zë, “Leonorë!” porsa e belba atë—
Ishte thjesht kjo, dhe asgjë më.
Duke u kthyer në dhomë përsëri, shpirti më digjej brenda në gji,
Ndjeva trokitjen sërish tani, pak më i lartë k’të radhë ky zë.
“Me siguri,” thashë, “me siguri, mbi grillë diçka n’dritaren karshi:
Po ja të shoh, ç’do jetë tani, të gjeja misterin aty mbi të—
Zemra e qetë një çast të jetë, të gjeja misterin aty mbi të;—
Por është era dhe asgjë më.”
Hapu këtu, vërvita kanatat, kur me një dridhmë i rrahu flatrat,
Hyri brenda një korb hijerëndë, i ditëve t’shkuara shenjt i shenjtë;
Dhe as që bëri ndonjë nderim; s’ndali një çast sa për pushim;
Por, si zot’ri a zonjë në qëndrim, mbi derën e dhomës u ul mbi të-
U ul mbi bustin e Paladës, mbi derën e dhomës përmbi të—
U kap, u ul, dhe asgjë më.
Ky zog i zi e plot me 8mashtrim, solli buz’qeshjen n’ëndërrim,
Me kortezinë e tij serioze, me pamjen e rëndë e të nderë.
“Ta kishe kreshtën qethur e rruar,” thashë, “sigurisht që s’je frikësuar,
I lashtë i kobshëm korb i trazuar, që endesh bregut netëve përherë—
Më thuaj emrin tënd madhështor, bregut Plutonian të Natës sterë!”
Përgjigjet Korbi, “Asnjëherrr’.”
I mrekulluar nga shpend i ngathët, që ligjërimin ndiqte qartë,
Se pak kuptim kishte përgjigjja—edhe përmbante shumë pak vlerë;
S’arrinim dot një dakortësi, s’ka qenie njerëzore në gjithësi
Ta bekojë shpendi, kurrsesi, duke e parë në dhomë mbi derë—
Shpend apo bishë i skulpturuar, ulur në dhomë përmbi derë,
Të mbante emrin “Asnjëherrr’.”
Por korbi, ulur i vetmuar, foli mbi bust i patrazuar
Vetëm një fjalë, sikur n’at’ fjalë, po shterte shpirtin e tij të mjerë.
Asgjë më tej ai s’shqiptoi—dhe asnjë pendë s’fërfëlloi—
Sa s’më shpëtoi mërmërima, “si fluturuan miq të tjerë—
Në mëngjes do të më lerë, m’u shuan shpresat si njëherë.”
Dhe shpendi vrik tha, “Asnjëherrr’.”
Gojëhapur prish heshtjen ai, m’u kundërpërgjigj me zotësi,
“Pa dyshim,” thashë, “ç’ka shpreh ai, veç atë di, q’e thotë prerë,
Zënë nga i mjeri zotëri, q’e pamëshirshmja Fatkeqësi
E ndoqi vrullshëm në shpejtësi, gjer këngët mbanin brengën e nderë—
Gjersa vajtimet e Shpresës së tij, mbanin pikëllim, rëndesë të mjerë
me ‘Kurrë më—e asnjëherrr’.”
Por sërish Korbi me mashtrim, solli buzëqeshjen në ëndërrim,
Çova shpejt ndenjësen para shpendit, përballë bustit përmbi derë;
Dhe mbi kadife i lëshuar, në k’të lidhje i përkushtuar
Ëndërr në ëndërr duke menduar, çfarë shpend i lashtë ogur sterë-
Ky shpend i kobshëm i pikëlluar, i lashtë, i ngathët, ogur sterë
Ç’thoshte me klithjen “Asnjëherrr’.”
U ula, kredhur në supozim, por pa i shpreur një rrokëzim
Shpendit që syë e tij të zjarrtë në gji më digjnin këtë herë;
Kështu u ula i menduar, kokën për çlodhje kisha anuar
Përmbi jastëk kadife shtruar dhe dritë e llambës përmbi derë,
Astar kadife i mbështjellë, dhe dritë e llambës aty mbi derë,
Ah s’do mbështetej, asnjëherrr’!
M’u duk se ajri ish rënduar, prej temjanicës parfumuar
Kumbonin hapat prej Serafimit mbi dyshemenë tingullçjerrë.
“Kopuk,” i thirra, “Hyu t’huazoi, me këta engjëj të dërgoi
Rri qetë—pi barin që të shëroi, nga përkujtimi i Lenorës së ndjerë!
Pije, oh pije këtë lloj bari dhe të harrosh Lenorën e ndjerë!”
Përgjigjet Korbi, “Asnjëherrr’.”
“Profet!” thashë unë, “djalli vetë!—ende profet, shpend a lanet!—
Sikur Tunduesi të dërgoi, në breg të hodhi stuhia me erë,
I vetmuar, por i patrembur, në vend të shkretë i magjepsur—
Në k’të shtëpi nga tmerri ndjekur—vërtet më thuaj, lutem k’të herë—
A ka—balsam nëpër Gilead?—më thuaj—të lutem këtë herë!”
Përgjigjet Korbi, “Asnjëherrr’.”
“Profet!” thashë unë, “djalli vetë—ende profet, shpend a lanet!
Për hir të Qiellit k’rrusur mbi ne—Hyut që ne adhurojmë përherë—
Tregoi shpirtit që e mbart dhembjen, prej këtu e gjer në Aidenn,
A do pushtojë vajzën, shenjten, që ëngjëjt quajn’ Leonorë e ndjerë—
Do pushtojë vajzën rrezatuese, që engjëjt quajn’ Leonorë e ndjerë.”
Përgjigjet Korbi, “Asnjëherrr’.”
“Qoftë ajo fjalë shenjë për ikje, shpend apo dreq,” Un’ me bërtitje—
“Ti kthehu mbrapa nëpër stuhi, bregut Plutonian të Natës sterë!
Mos ma lër pendën si për kujtim, rrenën që shpirti yt dha pohim!
Ma lër vetminë pa një cenim!—largoje bustin nga përmbi derë!
Hiqe dhe sqepin nga zemra ime edhe imazhin nga përmbi derë!”
Përgjigjet Korbi, “Asnjëherrr’.”
Dhe Korbi, kurrë nuk fluturon, por rri i ulur, i qetë qëndron
Përsipër bustit të Paladës, aty në dhomë përmbi derë;
Dhe sytë e tij kanë po at’ shikim, të një demoni në ëndërrim,
Dhe dritë e lllambës në rrëzatim, në dysheme hija të bjerë;
Aty prej hijes mbi dysheme dhe shpirti im përjashta nxjerë
Do të ngrihet—asnjëherrr’!