Në shtatë zona të Stambollit do të rinumërohen votat
Komisioni Zgjedhor në Turqi ka vendosur të ketë rinumërim të votave në shtatë nga 39 zonat e Stambollit.
Numërimi fillestar i votave të zgjedhjeve lokale ka treguar se kandidati kryesor i opozitës ishte në epërsi të ngushtë.
Mirëpo, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit, Rexhep Tayyip Erdogan, e ka kundërshtuar rezultatin zgjedhor në Stamboll dhe Ankara pasi ka humbur kontrollin në këto dy qytete kryesore të Turqisë.
Mediet turke kanë shkruar se kandidati i Partisë Republikane Popullore (CHP), Mansur Yavas ka shënuar fitore të qartë në Ankara, mirëpo rezultati ka qenë aq i ngushtë në Stamboll, sa që të dyja partitë kanë pretenduar fitore.
Gazetat proqeveritare të mërkurën kanë thënë se kishte pasur një konspiracion kundër Turqisë në zgjedhjet lokale. “Gazeta Star” e ka krahasuar rezultatin me një përpjekje grushti shteti të vitit 2016 dhe protestat kombëtare më 2013.
“Kush e organizoi grushtin e shtetit në kutinë e votimit”, ishte titulli i faqes së parë në “Star. “Ata donin të merrnin vullnetin kombëtar përmes vjedhjeve të organizuara dhe metodave të mashtrimit”, ka shrkuar kjo gazetë.
Presidenti Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke, prej kur ka ardhur në pushtet 16 vjet më parë, dhe ka udhëhequr këtë shtet me masa secilën herë më të ashpra, ka bërë fushatë intensive gjatë dy muajve të fundit për votimet e së dielës, të cilat i ka cilësuar si “çështje të mbijetesës” për Turqinë.