Në shtator, 1987 definitivisht, Millosheviqi u inaugurua si lider i Serbisë (6)

16 dhjetor 2024 | 12:01

Anatomia e nazizmit serb: Sllobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (6)

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Metodat gebelsiane të Millosheviqit

Nga kjo distancë historike, mund të thuhet se ky ishte fjalimi më i zjarrtë, me ngjyrime nacionaliste i ndonjë lideri serb që vinte në Kosovë nga Serbia. Millosheviqi edhe vet e kishte ndje aromën e famës së liderit të ri serb. Tubimi dhe atmosfera e krijuar në te, linte përshtypjen se gjithçka ishte përgatitur mirë, nën regjinë e regjimit serb, lider i parë i të cilit shumë shpejt do të vendosej Sllobodan Millosheviqi. Televizioni serb dhe ai jugosllav me shumë patetikë po informonin për tubimin në Fushë Kosovë duke cituar fjalët e Millosheviqit: “Juve askush nuk guxon t’ju rrahë”. “Në këtë tokë, tirani nuk do të ketë. Do ta fitojmë edhe këtë betejë”! Përkrahja dhe simpatia e madhe të cilën ai e fitoi nga paraqitja në Fushë Kosovë, i qelën rrugë të rreja për promovimin absolut në lider të ri serb. Shtypi serb filloi t’i jepte përkrahje të jashtëzakonshme, si asnjëherë më parë ndonjë lideri serb, për e shkruhej me pietet të lartë si politikan i guximshëm, i ndershëm, patriot serb cili me guxim u vu në “mbrojtjen” e serbeve dhe malazezëve të “rrezikuar”. E tëra ishte blof.

Në mbrojtje dhe përkrahje të liderit të ri serb ishte vënë edhe gazeta serbe për kulturë, Knizhevne novine e cila më parë i kishte kritikuar, gjykuar metodat jodemokratike të udhëheqjes së Millosheviqit. Është për t’u theksuar se regjimin serb, pra as para ardhjes së Millosheviqit në pushtet kurrnjëherë nuk kishte hequr dorë nga kontrolli mbi mediat. Vend të posaçëm në realizimin e politikës serbe, pra edhe në kohën e Millosheviqit e kishin gazeta e përditshme Politika dhe Televizioni nacional serb. Gjatë sundimit të tij, çdo gjë që zhvillohej në mediat serbe ishte në funksion të Millosheviqit. Roli i tij në kontrollimin e mediave, përmes bashkëpunëtorëve ishte i jashtëzakonshëm, dhe rrallë ka ndonjë shembull në historinë më të re të diktaturave ballkanike kur një kryetar shteti kontrollon në imtësira çdo lëvizje brenda mediave. Në këtë detyrë, i kishte ndihmuar edhe bashkëshortja Mirjana Markoviq. Madje flitej se shumë redaktor të mediave, kishin filluar që, për çështje të caktuara profesionale drejtpërdrejt të konsultoheshin me Mirjana Markoviqin, dhe dihej se mendimi i saj ju interesonte madje më shumë se i vet Millosheviqit. Roli i saj ishte i vendimtar edhe në afirmimin dhe avancimin e gazetarëve dhe redaktorëve lojal regjimit, por edhe në diferencimin e atyre të cilët ishin të padëgjueshëm ndaj regjimit millosheviqian.

Për Millosheviqin thuhet se veçmas kujdes të veçantë i ka kushtuar televizionit serb. Ai personalisht i zgjidhte kryeredaktorët e gazetave dhe të mediave elektronike. Ai ishte i vetëdijshëm për rolin e mediave në formimin e opinionit, prandaj maksima e tij ishte: Ajo që nuk është emituar, publikuar në media ajo edhe nuk ka ndodhur. Në rastet kur kishte takime me diplomat perëndimor dhe kur e dinte fare mirë se ata megjithatë do të paraqesin edhe pikëpamjet e tyre që janë të kundërta me ato të Millosheviqit, ky i fundit vendoste që të mos incizohet për media elektronike takimi, ndërkohë që nga kabineti i tij jepej vetëm kumtesa për opinion nga ai takim. Kumtesat zakonisht i redaktonte vetë, duke hequr pikëpamjet dhe qëndrimet e diplomatëve perëndimorë kurse i linte vetëm pikëpamjet dhe qëndrimet e tij. Edhe me këtë metodë gebelsiane, Millosheviqi e impononte krijimin e opinionit publik me informacione dhe me qëndrime të shtrembëruara politike lidhur me realitetin në serbi, kurse tek masat impononte vlerësime sipas kutit të tij duke dëshmuar se e vetmja rrugë e drejt e popullit serb është ajo të cilën ai e trasonte.

Sa më shumë që ndërlikohej situata në Serbi, aq më tepër Millosheviqi e shtrëngonte kontrollin ndaj mediave, kurse nga ana tjetër hezitonte që të paraqitej para opinionit. I shqetësuar nga ndonjë skandal i mediave opozitare, Millosheviqi kishte marrë vendim që pa procedurë gjyqësore, mund t’i merrej pasuria atij i cili do të botonte, emitonte diçka të cilën shteti e cilësonte si të pavërtetë, praktikisht që nuk i shkon për shtati regjimit dhe personalisht Millosheviqit. Për të qenë paradoksi edhe më i madh, në krahasim me këtë vendim të tij, mediat serbe të regjimit aso kohe përditë lansonin gënjeshtra, insinuata, mashtrime, sidomos kundër shqiptarëve dhe për këtë lajthitje askush nuk merrej në përgjegjësi.

Përmes kontrollit të mediave dhe ndikimit të drejtpërdrejt në to, ndër të tjera Millosheviqi e forconte kultin e tij prej diktatori. Në fund të viteve e të ‘80-ta qytetarët serbë në tubimet e shumta, të njohura edhe me emrin “jugurt revolucion” e bartnin fotografinë e tij. Kur disa nga bashkëpunëtorët i kishin bërë vërejtje pse në manifestime të barten fotografitë e liderëve serbë, ai kishte urdhëruar që të heqin të gjitha dhe të mbetej vetëm fotografia e tij. Fotografitë e tij barteshin në të gjitha tubimet pa përjashtim madje edhe në kohën kur ai nuk ishte kryetar i Republikës së Serbisë, por vetëm kryetar i LK të Serbisë. Pas një kohe me urdhrin e tij hiqen fotografitë e Titos dhe vendosej fotografia e Millosheviqit. Kjo praktikë sidomos ishte bërë domosdoshmëri pasi Millosheviqi ishte zgjedhur për kryetar të Serbisë. Ndërkohë që kur ishte zgjedhur për kryetar të Jugosllavisë së cunguar, fotografitë e tij kishin ishin vendosur masivisht nëpër zyrat e federatës atëherë serbo-jugosllave.

Në bisedat zyrtare dhe ato private, ai e përcillte çdo situatë, secilin veprim e paraqitje të bashkëpunëtorëve. Të gjithë e dinin se ai, si edhe të gjithë diktatorët në histori kishte dëshirë që ta përkrahin në mënyrë absolute, të mos e kritikonin dhe të mos i kundërviheshin për asnjë veprim politik. Prandaj më së shumti i përkrahte dhe i avanconte në poste ata të cilët ishin servil karshi tij, sidomos ata të cilët i stërmadhonin, edhe rrejshëm të arriturat e popullit serb nën udhëheqjen e vozhdit – Millosheviq. Edhe humbjet, disfatat dëshironte t’i reflektonte si sukses, kurse secilën veprim politik, poqe edhe i gabuar e shpallte si të suksesshëm. Thjesht, ishte tepër sederlig dhe i ndjeshëm në kritika.

Por, edhe Millosheviqi sikur të gjithë diktatorët në histori, i përcillte me vëmendje veprimet e të tjerëve në politikë, sidomos të kundërshtarëve të tij, ose të atyre për të cilët vlerësonte se janë ose mund të jenë konkurrentë të tij politik. Ai, në rastet dhe situatat e tilla përkujdesej që me kohë ti largonte nga politika, nga rruga e karrierës, nga ndikimi i tyre politik , dhe veçmas i largonte nga pushteti. Nuk hezitonte që ti likuidonte politikisht bashkëpunëtorët e tij më të afërt, sidomos i ndërmerrte spastrimet politike ndaj atyre politikajve serbë dhe jo vetëm atyre të cilët mund t’ia zbehnin autoritetin në politikë. Lufta e tij për pushtet ishte e paskrupullt, metodat e tij ishin tipike makiaveliste, dhe nuk zgjidhte mjete për të realizuar qëllimet politike. Ishte shumë dinak po ashtu në eliminimin politik edhe të atyre individëve, bashkëpunëtorë të tij të cilët, pasi i përdorte për qëllime të caktuara politike, menjëherë gjente mënyra, metoda dhe pretekst që ti largonte përgjithmonë nga skena politike, sidomos nëse hetonte se autoriteti i tyre po rritej ndër masa. Prandaj, bashkëpunëtorët e tij nuk i lente gjatë kohë në pozita udhëheqëse. Shembull i mirë për këtë është rasti i Borisav Joviqit i cili i kishte shërbyer besnikërisht mirëpo, pas kthimit nga Konferenca e Dejtonit në Ohajo të ShBA-ve, Millosheviqi e eliminoi politikisht, duke mos i dhënë asnjë shpjegim dhe duke mos i dhënë asnjë herë më rastin që ta takoj. Dihet se pas Mbledhjes së tetë të KQ të LJK të Serbisë, Millosheviqi kishte eliminuar nga skena politike të gjithë ata të cilët në të njëjtën mbledhje e kishin kundërshtuar, ndër ta: Shpiro Galoviqin, Vasa Milinoviqin, Ivan Stamboliqin, Ljubinka Tergovqeviqin, Momqilo Baljakun, Brana Milosheviqin, Radmilo Klajiqin, gjeneral Milosav Gjergjeviqin, Vukoje Bulatoviqin, Branislav Ikoniqin, Milenko Markoviqin, Borislav Shkrebiqin, Radisha Gaqiqin, Ivan Stojanoviqin etj.

Dragisha Pavloviqi, mori guximin ta kundërshtonte politikën shoviniste të Millosheviqit

Mirëpo, Sllobodan Millosheviqi edhe përkundër euforisë nacionaliste, të cilën e krijonte vetë me regjimin, nuk ngazëllehej, ishte i matur dhe e dinte se pushteti i tij është në fillim dhe nuk është ende i sigurt. Ai gjithashtu e ndjente se fatin e politikanit nuk e përcakton disponimi i masave, por pikërisht raporti i forcave në strukturat udhëheqëse shtetërore dhe veçmas aso kohe në ato partiake. Prandaj, bën balansa dhe aleanca politike edhe përkundër vullnetit të tij, në radhë të parë duke i bindur bashkëpunëtorët politik në besnikërinë e tij të titoizmit. Në këtë frymë, me një mashtrim mjeshtëror politik ai deklaronte në një prej mbledhjeve të KQ të LK të Serbisë se “ sikur në luftë, as sot, as çetnikizmi i vjetër e as ai i ri, as nacionalizmi i vjetër e as ai i ri nuk do të kalojnë në Serbi”!
Pas qëndrimit në Fushë Kosovë, i frikësuar se në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë do të mund të ndjeheshin të prekur, ai e kishte vizituar Sekretarin e Punëve të Brendshme të Jugosllavis, Dobroslav Çulafiqin të cilit i kishte shpjeguar se qëndrimi i tij në Fushë Kosovë kundër policisë, ishte vetëm një veprim taktik i politikës së ditës, sa për të penguar çfarëdo gjakderdhje eventuale.

Hulumtuesit dhe njohësit e ngritjes dhe rënies së Millosheviqit vlerësojnë se Mbledhja e Tetë e KQ të LK të Serbisë, mbajtur në javën e fundit të muajit shtator 1987 ndoshta ishte takimi më i rëndësishëm kthesë në karrierën e tij politike, natyrisht sa u përket relacioneve politike përbrenda faktorit politik serb. Në këtë mbledhje, definitivisht ishte rikonfirmuar roli prijatar i Millosheviqit në politikën e Serbisë ndërkohë që ishte paralajmëruar largimi nga skena politike e kundërshtarëve të tij politik ndër ta edhe e Ivan Stamboliqit, atëherë kryetar i Kryesisë së Serbisë, i Dragisha Pavloviqit, kryetar i Komitetit të qytetit të LK të Serbisë dhe politikajve që i përkisnin taborit të këtyre dy të fundit. Nga ana tjetër edhe më tej ndër njohësit e politikës serbe të atyre viteve ka dilema nëse Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së ishte dyluftim politik i Milosheviqit me kundërshtarët e tij e mbështetur në luftën për pushte, ose ishte konflikt i madh përbrenda politikës serbe rreth koncepcioneve për mënyrën e zbatimit, realizimit të politikës nacionale serbe në radhë të parë rreth çështjes së Kosovës. Pala humbëse në atë mbledhje dhe ata që e kishin përkrahur atë linjë e mbronte qëndrimin se në pyetje është elementi i parë, kurse tharet e Millosheviqit konsideronin se konflikti ishte i përmasave të koncepcioneve. Është e mundur që vlerësimi i dytë do të del më i saktë, sepse, së fundi Millosheviqi dhe kundërshtarët e tij, kishin dalluar mes veti dhe kishin pasur mospajtime vetëm rreth metodave që duhej përdorur për realizimin e strategjisë serbe në lidhje me Kosovën. Sido që të jetë, si shkas, arsye e konfliktit të brendshëm politik serb në Mbledhjen e Tetë të KQ të LKS-së, ishte marrë çështja e pozitës së Serbisë në federatën jugosllave dhe e pakicës serbe përgjithësisht nëpër republikat dhe krahinat e Jugosllavisë. Millosheviqi, çështjen serbe e kishte vënë me mjaft shkathtësinë funksion të fitores së tij politike, jo vetëm në mbedhjen e përmendur por edhe në tërë karrierën e tij politike. Por ka edhe mendime se ballafaqimin e madh politik serbe në vitin 1978 e ka nisur pikërisht pala e mundur.

Por cilat ishin zhvillimet që në prapaskenë hapen rrugë deri te mbajtja e Mbledhjes së Tetë të KQ të LK të Serbisë?

Nga fundi i pranverës së vitit 1987, fraksioni i Sllobodan Millosheviqit, Kishte vendosur që luftën e brendshme politike serbe ta zgjeroj me hapjen e konfliktit të hapur politik me Dragisha Pavloviqin, kryetar i LK të Qytetit të Beogradit dhe bashkëpunëtor i afërt i Ivan Stamboliqit. Kuptohet, paksa kujt do t’i shkonte ndërmend në pranverën e atij viti se, hapja e këtij fronti të ri të konfliktit politik, brenda radhëve të udhëheqjes serbe, kishte për qëllim, jo Pavloviqin, i cili pa dyshim se ishte kuadër perspektivë por në të vërtetë Ivan Stamboliqin, kryetarin e Republikës së Serbisë. Në këtë kohë, kur në Serbi po zhvilloheshin lëvizje të mëdha politike, për shumë çka edhe të kundërthënëshme dhe ahistorike për fatin e popullit serb, Dragisha Pavloviqi kishte botuar librin e tij me titull: Me pyetje në përgjigje (Pitanjima na odgovore), në të cilin me mjaft guxim kishte hapur tema polemizuese politike. Rreziku se me pikëpamjet e veta jo pak të guximshme politike, Pavloviqi do të nxisë kundërshtaret e vet nga radhët e fraksionit të Millosheviqit ishte real. Ai sikur për këtë rrezik nuk kishte bërë vlerësime të mjaftueshme, ndoshta edhe nga fakti se llogariste se Ivan Stamboliqi, bashkëpunëtor i afërt i të cilit ishte, është më i fuqishëm politikisht se Sllobodan Millosheviqi. Shikuar provizorisht, kështu edhe do të duhej të ishte, mirëpo, Stamboliqi dhe Pavloviqi e kishin nënçmuar intuitën dhe dinakërinë politike të Millosheviqit në luftën për pushtet. Në fakt, në rrethanat e ashpërsimit gjithnjë e më të madh të luftës së brendshme politike, në jetën politike të Serbisë, kishin zënë të krijoheshin dy vija të thella politike, të papajtueshme me njëra – tjetrën, madje me tendencë që herë do kurdo të konfrontoheshin mes veti. Kjo luftë politike brenda serbe po bëhej e padurueshme jo vetëm për popullin serb, pavarësisht se burokracia asnjëherë nuk duron që ti lejoj dikujt që ta trazojë qerdhen e pushtetit të saj. Pavloviqi, i zgjuar dhe politikisht inteligjent, jo aq i ngarkuar me nacionalizmin serb sa Millosheviqi dhe fraksioni i tij, i kishte shpallur luftë burokracisë nacionaliste politike në Serbi, pjesë e të cilës ishte edhe vet. Edhe ai shprehte një lloj naiviteti, derisa nuk i shkonte mendja se shumë shpejt do të bëhej viktima e parë politike e një lufte permanente dhe të ashpër brenda fraksioniste në Serbi. Që nga paraqitjet e tij të para, grupi fraksionist millosheviqian i cili ishte edhe në përbërje të Kryesisë së LK të Qytetit të Beogradit iu kishte kundërvënë Pavloviqit. Lufta për pushtet në Serbi tani po thellohej, përmes konfliktit të hapur me Pavloviqin. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjenti i Ardian Ismajlit ka folur për mundësinë që klienti…