Në shtator ndeshje miqësore të Kombëtares U-17 në Shqipëri, U-16 në Luksemburg
Muaji shtator do të jetë i ngarkuar me ndeshje miqësore të ekipeve përfaqësuese të Kosovës.
Drejtori për marrëdhënie me jashtë dhe i ekipeve përfaqësuese, Artan Govori, ka bërë me dije se gjatë muajit shtator, krahas ndeshjeve kualifikuese të Përfaqësueses A dhe U-21, ndeshje miqësore do të zhvillojë edhe Përfaqësuesja U-17, e cila më 9 dhe 11 shtator në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, do t’i zhvillojë dy ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë. Po ashtu, edhe grupmosha U-16 do të udhëtojë nga 3 deri më 7 shtator për në Luksemburg, ku më 4 dhe 6 shtator do t’i zhvillojë dy ndeshje me këtë grupmoshë.
Kjo po bëhet në kuadër të planprogrameve zhvillimore të ekipeve përfaqësuese, thuhet në njoftimin e FFK-së. Më 30 gusht dhe më 2 shtator Përfaqësuesja A e femrave do të zhvillojë dy ndeshje me përfaqësuesen maqedonase në Maqedoni.