NË SKENËN NDËRKOMBËTARE KOSOVA INFERIORE PËRTEJ ÇDO INFERIORITETI!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Nyk hyhet dhëndër me rekuizite të …Ukrainës: Në luftën që po zhvillohet në Ukrainë të gjithë janë fitues, kush më shumë e kush më pak kurse humbësi i madh, në njerëz dhe në dëme materiale është Ukraina dhe populli i këtij shteti që është duke bërë luftë mbrojtëse. Në historitë e luftave të mëparshme nuk është i njohur ndonjë rast që një shtet të ketë aq shumë përkrahje morale, politike, ushtarake dhe ekonomike sikur që e ka Ukraina. Ukrainën nuk po e përkrahin vetëm ato shtete që janë të lidhur me kërthizën e interesit ekonomik, politik, fetar dhe interesa tjera me Federatën e Rusisë. Disa shtete të BE-së pasi nuk kanë siguruar burime tjera të furnizimit me gaz dhe naftë të papërpunuar, po e luajnë një rol oportunist duke blerë kohë deri në çastin kur të vjenë koha e të shkëputen nga vartësia ruse, nëse vjen ajo kohë dhe nëse gjërat nuk ndryshojnë në ndërkohë. Shtetet e vogla e që e kanë statusin e pacientit që varet nga infuzioni politik dhe material i shteteve të fuqishme, në rastin konkret është Kosova, për ta dëshmuar besnikërinë e përcaktimit dhe përkushtimit ndaj sponsorëve të tyre, reagojnë vend dhe pa vend, kohë dhe pa kohë, në pajtim apo në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që iu referohet një shtet normal duke e vënë në një situatë aspak serioze. Ka qenë krejtësisht normale që të përkrahet lufta e popullit ukrainas dhe shtetit të Ukrainës por se kjo përkrahje duhet të jetë në përputhje me mundësitë dhe rolin që e ka Kosova në skenën ndërkombëtare. Çdo kalim në overdose të përkrahjes është e dëmshme për shëndetin politik dhe shtetërorë të Kosovës sepse askush nuk na merr seriozisht duke ditur se sa të parëndësishëm jemi në skenën ndërkombëtare. Ne realisht nuk po jemi në gjendje t’i zgjidhim problemet tona të brendshme që po na i shkakton Serbia e po na del kohë ta zgjidhim problemin e Ukrainës me Rusinë e që nuk po kanë mundësi ta zgjidhin edhe shtetet më të fuqishme të botës që vrajnë dhe kthjellin në tokën, nëntokën dhe qiellin e botës. Nëse e bëjmë një karahasim me kohën e angazhimit që e kanë shpenzuar bartësitë më të lartë të posteve në Kosovë, shkëlqesitë e tyre, z. Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, presidente dhe kupola e të gjitha pushteteve në Kosovë, z. Albin Kurti, kryeministër, atëherë del se më shumë kohë i kanë kushtuar Ukraines, Zelenskit, Mariupolit, si pjesë pozitive, dhe Vladimir Putinit, si kryepersonazhi negativ, se p6roblemeve në veri të Kosovës që në heshtje administrohet nga Serbia. Skajshmërisht është joserioze dhe shprehje e llaskucërisë nëse bëni përpjekje t’i rregulloni punët e botës ndërsa punët në oborrin tuaj i keni llugë! Kosova ka nevojë për udhëheqës që me përkushtim i shërbejnë popullit që i ka votuar, që merren me problemet reale e që janë të zgjidhshme dhe jetike për qytetarët e jo udhëheqës që merren me punët e të tjerëve për të cilin nuk janë të mandatuar nga askush dhe e kalojnë kohën duke bredhur nëpër botë si haxhilerë politikë, pa u trajtuar fare në përputhje me nivelin që e përfaqësojnë. Përpjekja për demonstrim të një autoriteti ndërkombëtar që e bëjnë disa udhëheqës institucionalë të Kosovës i vë në pozita qesharake pasi shpërfillen deri në injorim prandaj shndërrohen në karikatura të autoritetit. Duke e bërë punën e Sizifit shndërrohen në personazhe të romaneve shqiptare si puna e shokut Zulo. Kosova nuk e ka problemin me bashkësinë ndërkombëtare por se e ka problemin me Serbinë e cila skajshmërisht po favorizohet nga bashkësia ndërkombëtare. Aktualisht Kosova ka mungesë të politikanëve që ambalazhimin e kanë të liderit kurse përmbajtjen e burrështetasit. Politikanët e sotit janë vetëm pretendime të profilit të politikanit burrështetas. Prandaj e kemi një pozitë aq inferiore në skenën ndërkombëtare, prandaj Serbia është shndërruar në faktor përcaktues për statusin e Kosovës sot dhe në të ardhmën. Loja po luhet në fushën e Kosovës e jo të Serbisë. Po bisedohet për territorin e Kosovës e jo të Serbisë. Po bisedohet për sovranitetin e Kosovës dhe jo të Serbisë. Në Gjykatën Raciste Speciale në Hagë po gjykohen shtetasit e Kosovës, të gjithë shqiptarë që i dhanë kuptim dhe përmbajtje luftës për liri ndërsa një pjesë e politikanëve aktualë po ngazëllehen me këtë, po konsiderojnë se ata që e shkruan dhe e vulosën historinë e re të Kosovës dhe të shqiptarëve janë e kaluara e keqe që e dëmtuan dhe e shkatërruan Kosovën në 20 vjetët e fundit dhe se tash u paska rënë hise t’i përmirësojnë këto dëme duke injoruar faktin se pa sakrificën e tyre dhe të gjithë ata që luftuan për liri, prapanicat e tyre kurrë nuk do të uleshin në kolltuqet në të cilat janë ulur sot. Për ta as Baca Adem Demaçi nuk është krijuesi i historisë, kuptimi dhe përmbajtja i luftës për liri dhe bashkim kombëtar por vetëm një person që paska kaluar thuaja 30 vjet burg në llogoret e ish-Jugosllavisë. Në institucionet aktuale ka aq shumë politikanë që me asgjë nuk e kanë merituar postin as sa i përket profesionalizmit sa që nuk ka pasur thuaja në të gjitha përbërjet paraprake. Kurse në aspektin kombëtar, qoftë personalisht apo familjarisht, numri i tyre është simbolikë. Shumica përbëhet nga kozmopolitanët dhe mbetjet e ish Jugosllavisë. Bijtë dhe bijat e ish-udbashëve, ish-prokurorëve, ish- hetuesve, ish-gjykatësve, ish-diplomatëve dhe ish-politikanëve të afërt dhe që i kanë shërbyer Jugosllavisë, gjithmonë kanë pasur përparësi gjatë konkurimit për një vend pune dhe emërimit në poste, borde, diplomaci, sistemin prokurorial, gjyqësor etj.,. Albin Kurti thuaja në mënyrë plebishitare i ka fituar zgjedhjet për faktin se ka premtuar ndryshim, qytetarët duan ndryshim dhe se kanë besuar se do të ketë ndryshim ndërsa doli të jetë: “të zbresë Hasani të të shalojë Hyseni (Durmishi) …”, thuaja asnjë ndryshim, madje ndryshim për të keq ku nepotizmi thuaja është bërë kushti përcaktues i konkursit. Albin Kurti e ka marrë pushtetin në kohën më të keqe të mundshme, pandemia, kriza e përgjithshme ekonomike, lufta në Ukrainë etj. E them se jo Albin Kurti por kushdo që të ishte në vend të tij për shkak të rrethanave të krijuara nuk do të mund të bënte më shumë dhe në këtë pikë e arsyetojë. Duhet të jeshë i marrë e të besosh apo edhe të premtosh realizimin e projekteve zhvillimore në Kosovë në këtë kohë. Kosova aktualisht lufton të mbijetojë ekonomikisht, politikisht dhe si shtet. Për këtë, kryeministri Albin Kurti është dashur të tregohet shumë më bashkëpunues dhe respektues ndaj opozitës, e tillë siç është e jo ta shpërfillë në mënyrë aq poshtëruese. Nuk mund të ketë dhe nuk ka zhvillim ekonomik dhe hapje të reja të vendeve të punës me rritje të inflacionit dhe vendnumërim të pagave. Së paku kështu nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.
Frikësimi i popullit si përpjekje e fshehjes së injorancës: Nuk ka ditë të lume që presidentja, kryeministri, suflerja e ministres së jashtme dhe nivele tjera politike që aktualisht mbajnë poste të rëndësishme, shërbyese ndaj kryeministrit e jo për interes të përgjithshëm e që nuk na bombardojnë me rrezikun e luftës së re nga Serbia shkaku i luftës në Ukrainë dhe ndikimit rus duke ritraumatizuar ata që ende i kanë të freskët kujtimet dhe pësimet nga lufta e fundit në Kosovë. Mungesën e përmbushjes së premtimeve po e zëvendësojnë me një kërcënim për luftë të re duke zhvendosur interesin e qytetarit nga një perspektivë zhvillimore në një retrospektivë të mbijetesës. Në çdo takim të një rëndësie mesatare sepse takimet të rëndësisë madhore po mungojnë, në vend se të kërkohet të zgjidhet çështja e Kosovës në përputhje me realitetin e krijuar, liderët tanë kryesisht flasin për Rusinë, Ukrainën, Masakrën e Buças, Zelinskin, Putinin, Orbanin, Vuçiqin etj., thuaja se fjala e tyre është përcaktuese në ndërkohë që, askush nuk i dëgjon apo bëjnë hajgare me ta. Ka ministra në Qeverinë e Kosovës që nuk kanë kapacitet ta udhëheqin as një fermë me pula dhe lëre më që të flasin për probleme të mëdha botërore. Për këtë arsye këta janë hakmarrës, arrogantë, jobashkëpunues, destruktiv dhe mohues të kontributit të patjetërsueshëm të atyre që kanë qeverisur para tyre. Për këtë arsye këta dhe soji i tyre, jo që nuk përkrahin apo tregojnë interesim për “shqiptarë të arrestuar në Gjykatën Speciale” por, po të kishin mundësi do t’ua caktonin dënimin maksimal sepse kanë mbetur nën hijen e lavdisë së tyre, si luftëtarë, udhëheqës të të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe kontribuues përcaktues për pavarësinë, kjo që është, e Kosovës. Është e lehtë dhe e turpshme të akuzoni personat që nuk kanë mundësi të mbrohen apo të përgjigjen, në emër të luftimit të një periudhe kur ata kanë qenë në pushtet. Pavarësia e Kosovës ishte një proces zinxhiror i përbërë prej mija e mija hallkave kontribuese që e kanë formuar dhe forcuar këtë proces kurse pjesa më e madhe e pushtetarëve aktualë kanë mbetur jashtë këtij zinxhiri shkaku i moshës, që është e kuptueshme dhe e arsyeshme, shkaku i mungesës së guximit që gjithashtu është e kuptueshme dhe e arsyeshme, kurse një numër jo i vogël, ose i kanë shërbyer regjimeve të mëparshme represive ose kanë qenë pjesë e atyre familjeve që asgjë nuk kanë bërë për këtë vend. Në nivelet më të ulëta të pushteteve aktuale ka aktivistë dhe patriotë të vendosur për çështje kombëtare por se zëri i tyre nuk dëgjohet fare. Gjithashtu, në mesin e tyre ka trashigimtarë të familjeve të respektuara kombëtarisht që vetëm jetojnë dhe mbijetojnë nga e kaluara e paraardhësve të tyre e që me veprimet e tyre janë e kundërta e parardhësve të tyre në emër të të cilave edhe kanë marrë postet.
Kosova ka shumë probleme dhe nuk ka nevojë të merret me problemet e të tjerëve. Kryeministri Albin Kurti duhet të veprojë dhe të marrë vendime, jo si kryeministër por si burrështetas. Është koha e marrjes së vendimeve të përgjegjshme aq më parë që ka përkrahje të madhe politike (mbi 50 për qind) të votave sikur edhe për faktin që për marrje të vendimeve madhore ka përkrahje të plotë nga opozita. Realisht, sot opozita në Kosovë as që është e interesuar për marrje të pushtetit e që është përparësi për Qeverinë që të punojë në përputhje, jo me premtimet por me mundësitë që janë. Askush nuk po përpiqet ta rrëzojë nga pushteti Albin Kurtin përveç vet Albin Kurtit të sotëm që është krejtësisht i kundërt me Albin Kurtin e djeshëm. Kryeministri Kurti duhet të ndryshojë mendësinë e veprimit duke ndërtuar ura të brendshme bashkëpunimi me opozitën dhe të gjithë që duan të ndihmojnë në arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë që nuk e dëmton shumë Kosovën. Albin Kurti duhet të jetë në krye të një ekipi të përbashkët që do të dijë të menaxhojë dhimbjet dhe pasojat e një Marrëveshjeje me Serbinë e që nuk do të jetë si e duam ne për faktin se vet të bërit dialog nënkupton se do të detyroheni të bëni kompromis ose, në të kundërtën do të futeni në një udhë pa dalje, jo vetëm simbolikisht. Albin Kurtin nuk duhet ta akuzoni pse është takuar me Vuçiqin në darkë, drekë, kinema apo në ndonjë rast tjetër sepse është pjesë e bisedimeve dhe nuk varet fort ose aspak nga ju. Është joserioze që kryeminstri Kurti të akuzohet si antiamerikan dhe kjo llogaritet si kartë e djegur e opozites . Gabohen ata që mendojnë se Albin kurti do ta çojë vendin në zgjedhje, kjo nuk do të ndodhë për faktin se Albin Kurtit e sidomos llaskucëve rreth tij që me asgjë nuk e meritojnë pushtetin, po iu pëlqen pushteti! Aq më parë që nëse dikush, më vonë do ta analizonte mënyrën se si Albin Kurti ka ardhur në pushtet, pa asnjë dyshim do ta konstatonte se Makiavelli do të mbetej në nivel amatoresk në mësimet e tij te Sundimtari se si dhe si mbahet pushteti. Më herët kam shkruar se Albin Kurti, ose do të bëhet Hasan Prishtin i ditëve tona ose do të bie nën nivelin e Esat Pashait. Personalisht ia dëshiroj të parën, të bëhet Hasan Prishtina i ditëve tona sepse është interes i Kosovës të bëhet i tillë. Vetëm dashakqinjtë e dëshirojnë të kundërtën sese nuk e duan Kosovën.