Në Spanjë mahniten me Uzunin: La shkollën për të larë enët, është Cristiano i Shqipërisë
Në Spanjë janë të mahnitur nga historia e Myrto Uzunit. Ai ka dhënë një shembull për të gjithë lojtarët shqiptarë se mund t’ia dalin, pavarësisht vështirësive që kalojnë dhe financave të tyre.
“Infobae” ka shkruar një artikull për Uzunin duke e quajtur si “Cristiano i Shqipërisë”. Në të tregohet historia e Uzunit që në moshën 10-vjeçare kaloi tre ditë duke e ecur me familjen për të mbërritur në Greqi, që t’i shpëtonin varfërisë.
“La shkollën që të ndihmonte nënën e tij të lante enët, tani është fjala e parë në Spanjë dhe i lakmuar nga të gjithë, ndodhet në La Liga”.
Njëkohësisht kjo media kujton përballjen me idhullin e tij, atëherë kur Ferencvaros luajti me Juventusin dhe Uzuni arriti të shënonte dhe në fund të ndërronte fanellën me lojtarin që e kishte parë në televizor dhe e admironte aq shumë: “Ishte padyshim dita më e bukur e karrierës së Uzunit”.
Uzuni është një nga sulmuesit më të mirë të ligës së dytë spanjolle me sasinë e golave të tij të shënuar këtë sezon. Së bashku me ekipin e tij kanë siguruar kalimin në La Liga, ndërkohë vlera e tij ka arritur në 25 milionë euro.