Në Spanjë nuk do të ketë më 40 orë punë në javë
Ministrat spanjollë kanë miratuar uljen e javës së punës nga 40 orë në 37.5 orë pa ulje pagash, pas një marrëveshjeje me sindikatat, por pa mbështetjen e shoqatave më të mëdha të punëdhënësve.
Më 5 shkurt, Këshilli i Ministrave miratoi një projektligj që dy sindikatat më të mëdha (CCOO dhe UGT) e cilësuan si një masë historike që mund të përfitojnë potencialisht 12 milionë punëtorë.
Ministrja e Punës Yolanda Diaz tha se ishte një ditë historike dhe se ishte reduktimi i parë i orarit të punës në 40 vitet e fundit.
“Nuk është thjesht një variabël tjetër ekonomik, por një projekt për vendin dhe një masë për të modernizuar Spanjën,” tha Díaz, kreu i aleancës së krahut të majtë Sumar.
Nga ana tjetër, shoqata më e madhe e punëdhënësve CEOE hodhi poshtë projektligjin dhe bëri thirrje për një reduktim gradual të orarit të punës dhe negociata kolektive.
Ata besojnë se masa do të godasë më shumë bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit, raporton Euractiv me qendër në Bruksel.
Qeveria e Pedro Sánchez pretendon se përfitimet më të mëdha do të jenë për punëtorët që nuk mbulohen nga marrëveshjet kolektive, gjë që është më e përhapura në sektorët e tregtisë, shërbimeve dhe mikpritjes.
Projektligji duhet të miratohet nga parlamenti, ku qeveria e Sanchez do të duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme, gjë që nuk është detyrë e lehtë.
Ligji mund të jetë para deputetëve në fund të shkurtit ose në fillim të marsit.