Në Speciale u përmend emri i Zoran Stijoviç, deputetët e VV-së, Zyba e Dugolli përmendin lidhjet e tij me Baton Haxhiun
Në Gjykatën Speciale ku dëshminë e tij e ka vazhduar Bislim Zyrapi, shefi i shtabit të UÇK-së, është përmendur edhe Zoran Stijovic, ish-punonjës i UDB-së së Serbisë.
E dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Enver Dugolli, kanë përmendur lidhjet që Baton Haxhiu i kishte me Zoran Stijovic.
Ata ju kanë referuar deklarimit të Haxhiut i cili në gjykimin ndaj Millosheviqit kishte deklaruar se ka takuar Stijovic.
“Sot, në Gjykatën Speciale për dëshmi ishte Bislim Zyrapi, shefi i shtabit të UÇK-së. Nga njëri prej avokatëve mbrojtës z. Zyrapi u pyet për një punonjës të UDB-së me emrin Zoran Stijovic, i cili dikur kishte dhënë dëshmi si punonjës i UDB-së për spiunët e vet në Kosovë. Në anën tjetër, Baton Haxhiu në gjykimin ndaj Millosheviqit kishte deklaruar se ka folur dhe e ka takuar këtë Zoran Stijoviqin, madje sipas deklaratës së tij shihet që ky takim kishte ndodhur pas bisedës informative të tij me 2 tetor 1997. P.s. Zoran Stijovic ka qenë në atë kohë Drejtor Analitik i Operacioneve të UDB-së në Kosovë”, ka shkruar Zyba.
E për këtë ka shkruar edhe Enver Dugolli. Ai ka përmendur rastin kur Haxhiu ishte pyetur nga gjykatësi se si ishte shëndrruar në ndërmjetësues mes palës serbe dhe shqiptare.
“Sot, në Gjykatën Speciale u përmend nga avokati mbrojtës dëshmia e Zoran Stijoviqit për spiunët e Serbisë në Kosovë. Transkripti më poshtë është pjesë nga dëshmia e Baton Haxhiut në Hagë. Aty Baton Haxhiu tregon që pas bisedës informative me 2 tetor 1997 kishte folur dhe takuar Stijoviqin, madje Gjyaktësi e pyet edhe për çështjen se si Haxhiu ishte shndërruar në ndërmjetësues mes palës serbe dhe shqiptare në një moment. Të tillët ende na mbajnë ‘ders’ nëpër studio televizive e na fshihen prapa portaleve”, ka shkruar Dugolli.