Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe në seancat e së hënës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 20-të të ZPS-së, W04368, një tjetër dëshmitar u paraqit në sallën e gjyqit. Ai dëshmoi pa masa mbrojtëse.
Dëshmitari është Agim Idrizi nga komuna e Kaçanikut. Ai po dëshmon për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.