Në Srebrenicë shënohet 29-vjetori i gjenocidit

11 korrik 2024 | 14:52

Në Srebrenicë më 11 korrik është shënuar 29-vjetori i gjenocidit, që u krye nga forcat serbe në Bosnje e Hercegovinë.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari këtë vit varrosen mbetjet mortore të 14 viktimave të gjenocidit. Viktima më e re që do të varroset është 17 vjeç, ndërkaq më e vjetra 68, shkruan Rel.

Për herë të parë këtë vit, 11 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi kjo organizatë miratoi një rezolutë për Srebrenicën më 23 maj.

Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, gjatë ceremonisë përkujtimore në Potoçari tha se është e rëndësishme që shoqëria të kundërshtojë çdo përpjekje për të minimizuar shkallën e gjenocidit në Srebenicë. “Madhërimi i kriminelëve të luftës është fyerje, në mos kërcënim për viktimat, por po ashtu është edhe shkelje e Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se korriku i vitit 1995 ishte një prej kapitujve më të errët të historisë moderne evropiane.

“Srebrenica vazhdon të jetë një plagë e thellë në historinë e Evropës. Dështimi për të parandaluar këtë gjenocid është një barrë që ne vazhdojmë ta bartim”, shkroi ai në një kolumne.

Borrell tha po ashtu se në Bosnje dhe në mbarë rajonin “ka ende një tendencë shqetësuese të mohimit. Çdo mohim i gjenocidit është shuplakë në fytyrën e drejtësisë dhe pengesë për pajtim”.

Më herët gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për 29-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, miratoi një deklaratë që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit.

Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska. Srebrenica në korrik të vitit 1995 ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim…