Në stadiumin e Drenasit do të investohen 1.87 milionë euro
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi të enjten është takuar me kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Më këtë rast ata kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komunës së Drenasit, për ndërtimin e stadiumit të Drenasit, ku MKRS-ja do të investojë 1 milion e 500 mijë euro, ndërsa komuna do të investojë 370 mijë sosh. Implementimi i projektit, në bazë të memorandumit, parashihet të realizohet në tri faza, respektivisht gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020. Në vitin 2018, MKRS-ja ndan mjete për projektin në fjalë në vlerë prej 300 mijë euro, ndërsa Komuna 120 mijë; në vitin 2019, MKRS-ja ndan 400 mijë euro e Komuna 150 mijë, dhe në fazën e fundit në vitin 2020 MKRS-ja ndan 800 mijë ndërkaq Komuna 100 mijë euro.
“Diskutuam edhe për stadium kombëtar për procedurat e zhvilluara deri më tani dhe fazat ku kemi arritur, por gjithashtu bashkë me komunën e Drenasit edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës do të fillojmë edhe ndërtimin e stadiumit ndihmës të Drenasit, i cili do jetë me bari sintetik. E falënderoj kryetarin që ka qenë i gatshëm dhe përmes Kuvendit të Komunës të ndaj parcelën për këtë stadium”, ka thënë Gashi, duke shtuar se: “Si MKRS zotohemi se do të angazhohemi maksimalisht që të investojmë në infrastrukturën fizike sportive si një parakusht për zhvillimin e aktiviteteve si dhe rritjen e cilësisë, në këtë rast në futboll. I porosis që investimet që bëjmë bashkërisht të ruhen e të menaxhohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme, ashtu që të përcillet te gjeneratat e reja mesazhi që pasuritë dhe objektet publike janë pronë e të gjithë neve dhe ato duhet të ruhen më mirë se sa pronat private”.
Nga ana e tij, kryetari Lladrovci, u shpreh se përmes memorandumit të nënshkruar stadiumi i Drenasit do të marrë një pamje moderne. “I premtova ministrit që të gjitha procedurat për zhvillimin e punimeve ose atyre punimeve fillestare në stadiumin nacional do jem i gatshëm ta jap gjithë kontributin tim si kryetar komune, por edhe si komunë që atje të zhvillohen sa më shpejt procedurat dhe sa më shpejt ta shohim stadiumin që ka filluar të ndërtohet, . një stadium që i ka munguar Kosovës”, ka deklaruar Lladrovci.