Në Strugë inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës
Të enjten në Strugë është zhvilluar cermonia e inaugurimit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, e cila do të përfshijë qarkun konsullor të komunave Strugë, Dibër, Manastir, Krushevë, Resnjë, Prilep, Ohër dhe Kerçovë.
Agim Krasniqi do të jetë Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strugë, raporton “Epoka e re”.
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka falënderuar pjesëmarrësit nga qeveria, subjektet politike dhe përfaqësuesit e pushtetit komunal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe institucionet e RMV për bashkëpunimin dhe mbështetjen për të realizuar hapjen e këtij misioni diplomatik të Kosovës në Strugë.
Në emer të ministres së MPJD-së, Meliza Haradinaj-Stublla, mesazhin e saj e ka përcjell Xhelal Shaqiri, zëvendësdrejtor në këtë ministri, ndërkaq këtë ceremoni të inaugurimit në emër të MPJ të Maqedonisë së Veriut e përshendeti Fatmire Isaku, zëvendësministre e MPJ-së.
Knsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Kosovës në Strugë, Agim Krasniqi, ka thënë se ky mision i ri diplomatik në Strugë do të jetë më afër qytetarëve të Kosovës, thellimit të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës në fushën e kulturës, arsimit, bashkëpunimit ekonomik dhe në fusha të tjera, me këto komuna të cilat përfshihën në qarkun konsullor të Strugës.