Në Suedi mbahen bisedimet për paqe në Jemen
Kombet e Bashkuara, për herë të parë në dy vjet, organizojnë sot një rreth të ri bisedimesh, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës shkatërruese në Jemen.
I dërguari i posaçëm i OKB-së, Martin Griffiths, do të kryesojë takimin në Suedi, midis palëve luftuese.
Kombet e Bashkuara kanë organizuar disa rrethe bisedimesh që kanë pasur për qëllim përfundimin e konfliktit, por asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk është gjetur.
Që nga viti 2014, konflikti ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz në Jemen dhe e ka çuar vendin e varfër në prag të urisë, raporton “Rel”.
Zyrtarët e OKB-së kanë propozuar një plan të paqes që bën thirrje për një armëpushim midis koalicionit të udhëhequr nga sauditët dhe kryengritësve Huthi.
Plani po ashtu bën thirrje për formimin e një qeverie kalimtare.