Në Sundern të Gjermanisë u promovua “Libri i luftës”
-Nuhi Bytyçi: Ne e fituam luftën, duhet të sillemi fitimtar me përgjegjësi për ndërtimin e shtetit
Me shfaqjen e xhirimeve dokumentare nga ngjarjet historike në Kosovë, në Kosovën lindore, në Maqedoninë veriore, në Mal të Zi, në Shqipëri, në diasporën shqiptare e deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe formimi Ushtrisë së Kosovës, të cilat paraqesin veprimtarinë profesionale të gazetarit e publicistit, Nuhi Bytyçit gjatë periudhës së kaluar më se 40-vjeçare, në Sundern të Gjermanisë filloi promovimi i “Librit të luftës” të këtij autori.
Organizator i këtij evenimenti ishte Kryesia e Klubit të shqiptarëve “2 korriku” në këtë qytezë të bukur të Sauerlandit.
Kryetari i këtij klubi Fadil Bytyçi, duke përshëndetur pjesëmarrësit, ka thënë se promovimi i “Librit të luftës” po bëhet me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe e çmoi këtë një dhuratë të çmueshme për bashkatdhetarët tanë.
Në fjalën e rastit veprimtari i çështjes kombëtare, ish-luftëtari i lirisë, gazetari e shkrimtari Martin Çuni, ka vlerësuar gjithanshëm kontributin e vazhdueshëm të autorit të librit, gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi gjatë periudhës më se 40-vjeçare përherë në shërbimi të informimit të publikut dhe të interesave kombëtare.
Nuhi Bytyçi, si gazetar, me guximin e tij intelektual ishte pjesë e rezistencës kombëtare edhe në kohën e tubimeve gjithë popullore kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, edhe në Grevën e Minatorëve të “Trepçës” në vitin 1989. Natyrshëm, ai ishte në këtë rol, edhe më 2 korrik 1990, në ditën e shpalljes së deklaratës kushtetuese për Kosovën Republikë.
Në epokën e rezistencës së viteve nëntëdhjeta, gazetari Nuhi Bytyçi me profesionalizëm kreu detyrën e gazetarit, duke afirmuar organizimin e sistemit të pavarur të Republikës së Kosovës në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe të financimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përkujtoi Martin Çuni.
Ai pohoi se përmes emisioneve të tij televizive, të transmetuara në Programin Satelitor të Televizionin Shqiptar, Bytyçi ishte në krah të rezistencës gjithëpopullore të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Në viti 1997, Nuhi Bytyçi, bashkë me Qani Mehmedin, me vetiniciativën e tyre realizojnë emision televiziv me liderët e Lëvizjes Studentore, duke u vënë në mbështetje të hapur të organizimit të Demonstratave Studentore të 1 Tetorit 1997.
Ndërkaq, me fillimin e hovshëm të Luftës çlirimtare, në vitin 1998, Nuhi Bytyçi bëhet pjesë e kësaj lufte, duke raportuar dhe duke realizuar emisione televizive për rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga Dukagjini, deri te Drenica, Llapusha, Anadrinia, Llapi, Shala dhe Neredimja.
Nuhi Bytyçi bashkë me kameramanin Abaz Zeka, ishin të parët që xhiruan dhe transmetuan në Televizionin Shqiptar dhe në mediat botërore paraqitjen e parë publike të zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Betimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shumë emisioneve për UÇK-në dhe territoret e lira, për mbijetesën e popullatës civile, për Radion e luftës, Radion “Kosova e Lirë” dhe Agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, madje edhe për organizimin e funksionimit të sistemit shëndetësor dhe arsimore edhe në territoret e lira të kontrolluara nga UÇK-ja, theksoi publicisti e intelektuali Martin Çuni.
Çuni me këtë rast ka thënë se Nuhiun e Abazin e kam takuar në zonat e luftës në Drenicë dhe ka pasur një bashkëpunim korrekt gjatë dhe pas luftës.
Bytyçi ka realizuar mbi 100 dokumentarë për luftën dhe dëshmorët e lirisë, ishte aty edhe kur u shpall pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Çuni ka pohuar se të gjitha këto zhvillime dinamike politike dhe kombëtare të viteve tetëdhjeta, nëntëdhjeta e deri më sot, të përjetuara drejtpërdrejtë nga gazetari Nuhi Bytyçi, të shikuara nga këndvështrimi i tij i pavarur, janë pjesë e memoareve të tij, të prezantuara në “Librin e luftës”, të botuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni” dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe afaristi ynë i mirënjohur Lazim Destani.
Lidhur me veprimtarinë gazetareske e atdhetare të Nuhi Bytyçit, folën edhe veprimtari i çështjes kombëtare në Gjermani, ish-luftëtari i UÇK-së e afaristi i suksesshëm Gani Nuha, veprimtari e humanisti Avdi Fejza, veprimtari e afaristi i dalluar Bekim Bytyçi, veprimtarët nga Llapusha Alush Kryeziu, Hajrullah Morina, Rrustem Bajraj, pastaj Nazmi Muçaj, Xhevdet Hajdaraj e të tjerë, të cilët botimin e “Librit të luftës” e vlerësuan një vepër enciklopedike historike me interes të jashtëzakonshëm për lexuesit.
Duke falënderuar pjesëmarrësit e këtij promovimi për këto vlerësime, autori i librit, Nuhi Bytyçi i informoi ata pse e ka titulluar veprën e tij jetësore “Libri i luftës”: “E kam titulluar kështu, sepse periudha më se 40 vjeçare e popullit tim, pra edhe e imja si gazetar, intelektual e veprimtar, ka qenë vërtetë luftë. Ka qenë luftë për dinjitet kombëtar, luftë për thyerjen e censurës komuniste në Televizionin e Prishtinës, luftë për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, luftë për mposhtjen e frikës dhe dinamizimin e lëvizjes për liri, luftë mediatike për të pasqyruar luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftës për të ardhmen e Kosovës lindore, luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të drejta të plot kombëtare të shqiptarëve në Iliridë, libër i luftës për pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës”, ka thënë Bytyçi, duke shtuar se: “Përmes ngjarjeve që bëjnë historinë më të re kombëtare, të përfshira në librin tim, kam dashur që para opinionit lexues shqiptar, por edhe atij botëror, të jap disa mesazhe të fuqishme: Me gjithë faktin se kur një popull i pushtuar, një popull i nëpërkëmbur, një popull i terrorizuar deri në gjenocid nga aparati i dhunës shtetërore serbo-sllave, atëherë kur shqiptarët e Kosovës kanë vendosur që t’i kundërshtojë fuqishëm dhe t’i mposhtin të gjitha këto me organizimin dhe mobilizimin e përgjithshëm nën flamurin e luftës për liri, arritën që të kenë përkrahjen e botës demokratike, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Dhe, kështu pas gjakut të derdhur të mijëra dëshmorëve dhe martirëve, populli shqiptar i Kosovës fitoi luftën, doli fitimtar në raport me forcat shumë fish më të mëdha ushtarake e policore serbe.
Mbështetur nga miqtë tanë strategjikë perëndimorë, populli ynë është fitimtar dhe për këtë duhet të jetë krenar. Prandaj, ne duhet të jemi krenarë që jemi fitimtarë ndaj një regjimi gjenocidal në Ballkan”, ka përkujtuar Nuhi Bytyçi.
Nuhi Bytyçi zhvilloi një bashkëbisedim me pjesëmarrësit e promovimit.
Ai e vlerësoi shumë të madh kontributin e diasporës shqiptare gjatë periudhës së okupimit serb, e veçmas gjatë periudhës së luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë projektet e tij të reja në të ardhmen, Bytyçi ka thënë se: “kam në plan të realizoj një varg projektesh të reja dokumentare, por ai më i riu është realizimi i filmit dokumentar kushtuar luftëtarëve të UÇK-së dhe dëshmorëve të vendlindjes së tij – Shkozës së Malishevës, për realizimin e tij në mënyrë profesionale, përveç mbështetjes nga Ministria e Kulturës pret edhe mbështetjen e bashkëvendasve të tij në Gjermani, Holandë, Zvicër e Amerikë”.
Me rastin e promovimit të “Librit të luftës”, autori Nuhi Bytyçi me disa nga pjesëmarrësit e promovimit vizituan Shtatoren e Nënës së madhe shqiptare Terezë në Sundern.