Në taksi

20 janar 2021 | 09:24

BLERIM RRECAJ

Në taksi

 

Hip në taksi për të vajtur në qytet

Bëj një copë rrugë dhe shoferi më thotë të zbres

Do t’i marr pesë udhëtarë – studentë

Dal dhe hip në taksinë e radhës

Ndërkohë dikur arrij në qytet

Takohem me dy shokë dhe blejmë libra me lirim

Për nder të 10-vjetorit të pavarësisë

Përsëri hip në një taksi në rrugën për kthim

Në një teposhtëze taksisti e lëshon në “ler”

Ne udhëtarët dhe drejtuesi i automjetit

Flasim edhe ndonjë fjalë meqë heshtja s’na lë rehat

“Bëhet mirë”, thotë dikush

Po dikush thotë “kurrë, kurrë, kurrë…”

 

Në vend të hyrjes

 

Ky libër mund t’ju gëzojë a trazojë

Mbase do të jetë farë e hedhur vlere

Që s’është e thënë të zë vend as në krye,

A të digjet mes sheshi a oxhaku,

Por as të hidhet për dritare,

A të fshihet në një qoshe pas dere

Është një rrugëtim jete ku unë jam pjesëmarrës

Ai që shoh dhe ndiej

Dy anët e medaljes së hapave të mi në këtë pjesë gjithësie

Siç mund t’i shihni dhe ndieni edhe ju herë pas here

Sa herë që perin e saj si litarin do ta heq prej qafës

Si shenjë triumfi të përbashkët

Me buzëqeshje fytyrëshpirti

Ndritur nga shkëlqim rrezesh

 

Po shtohen banorët në qytezën tonë

 

Para ca kohe erdhën miqtë e mi

Më pas baxhanaku

E tash edhe djali i tezes…

Jemi shumë më afër

E nuk shkojmë më

Te njëri-tjetri

 

Ku gjendemi tash

 

Nëna, babai e vëllai i vogël

Në Durrës

Vëllai i madh

Në Gjermani

Motra

Në Nju- Jork

Vëllai tjetër

Në Prishtinë

Unë

Në Fushë-Kosovë

Jemi bërë pikë e pesë

E na bën bashkë si në shtëpinë e dikurshme

Vetëm interneti

Lexim

 

Çka po bën kështu?

Çka po bën pashë jetën?

Pothuajse asgjë me rëndësi

Veç po lexoj vetveten!

 

(Nga libri “Qoshet ku fola me veten” botuar nga “Armagedoni”, 2021)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania ka regjistruar mbi 15 mijë raste të reja me…