Në tërësinë e shkrimeve të Sabile Keqmezi-Bashës dominon stili i të shkruarit historiografik
Prof. dr. Ibrahim Gashi
– Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “40 vjet veprimtari shkencore e krijuese të prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha”
Të nderuar të pranishëm,
E respektuar kolege Keçmezi-Basha,
E konsideroj nder të posaçëm që jam pjesë e folësve të sotëm për një krijimtari kaq të begat të studiueses sonë, tashmë të mirënjohur nga një audiencë e gjerë shkencore dhe artistike, dr. Sabile Keçmezi-Basha.
Si pedagog tash e një kohë të gjatë në Departamentin e Historisë të UP-së më ka rënë të analizoj nga afër, ndonjëherë edhe si recensent, krijimtarinë shkencore nga fusha e studimeve të historisë bashkëkohore shqiptare të studiueses Sabile Keçmezi-Basha. E kam thënë edhe në raste të tjera, por dua të ripohoj, besoj më kompetencë, se në tërësinë e shkrimeve të saj dominon stili i të shkruarit historiografik, i shkollës tradicionale të mbështetur vetëm në dëshmi arkivore dhe burime primare.
Opusi i veprave historiografike, veçmas ato mbi lëvizjen ilegale shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, janë një arkiv në vete të cilat përdoren gjerësisht nga studiuesit si burime primare. Nuk kemi shënime vebometrike, por sigurisht veprat e dr. Sabile Keçmezit janë cituar qindra mijëra herë në punimet e studiuesve të historisë bashkëkohore, shqiptarë dhe të huaj.
Me studimet e saj, veçmas pas rënies së komunizmit dhe heqjes së censurës, dr. Sabile Keçmezi-Basha, më shumë se secili nga ne, ka kryer një mision të shenjtë sa shkencor, po aq edhe kombëtar, duke nxjerrë nga përbaltja ideologjike dhe politike figura të ndritshme të lëvizjes sonë kombëtare të cilat, për më shumë se dyzet vjet, ishin stigmatizuar si armiq të regjimit dhe ishin hequr nga historia ose, për më keq, ishin futur në histori, por në mënyrë të shtrembëruar. Pasioni i vërtetë i studiueses Keçmezi, për të hulumtuar në dokumente arkivore dhe për të nxjerrë nga aktakuza, procesverbale dhe vendime gjyqësore veprimtarinë atdhetare të shumë patriotëve tanë, për çka edhe u dënuan, na ka sjellë tek ne përmasën e vërtetë të lëvizjes ilegale për liri dhe bashkim kombëtar, që filloi më të mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe që përfundoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të nderuar të pranishëm, e nderuar kolege Sabile,
Janë të rralla rastet e tilla promocionale, madje gati unike ndër ne, kur një panel kaq i zgjeruar i folësve do të arrijë të shpalosë fare pak nga një opus kaq i gjerë i një krijueseje të madhe që duket moshën ta ketë 40-vjeçare e krijimtarinë 65-vjeçare, edhe pse është e kundërta. Janë për admirim personalitetet e shkencës që janë kaq prodhues dhe që i japin brezit të tyre, sidomos brezave të ardhshëm, kaq shumë vlera diturore, ndërsa veten e fusin në panteonin e dijetarëve të kombit. Kur fliste për mësuesin shkencëtari i madh Albert Ajnshtajni theksonte: “Arti suprem i mësuesit është ta zgjojë gëzimin, shprehinë krijuese dhe diturinë”.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha për shumë historianë dhe poetë të ri, sikurse një mësuese e vërtetë, ka ngjallur, gëzim, shprehi krijuese dhe dituri shkencore, duke e bërë shumë më të dashur profesionin që ata kishin zgjedhur. Personaliteti i saj krijues dhe njerëzor ishte dhe vazhdon të jetë inspirues për secilin që synon t’i arrijë majat. Madhështia e tërë kësaj qëndron se edhe tani kur ajo ka një moshë që nuk duket fare, veçse si numër, vazhdon të jetë po aq inspiruese. Aktorja e madhe Sophia Loren me rastin e pensionimit të saj theksonte: “Ekziston një burim i të qenurit përherë i ri: është mendja juaj, talentet tuaja, kreativiteti që ju sjellin në jetën tuaj dhe jetën e njerëzve që doni. Kur mësoni të prekni këtë burim, do ta keni mundur me të vërtetë moshën”.
Pa dyshim, jo për koincidencë, kjo thënie i shkon protagonistes sonë për të cilën po flasim këtu, por jo secilit njeri. Vetëm pas një krijimtarie të pasur jetësore njeriu mund të rrezatojë kreativitet, mendje të ndritur dhe talent edhe në moshën e pensionimit. Më ka rënë të lexoj një thënie të Arthur E. Morgan se: “Përgatitja për moshën e vjetër duhet të fillojë jo më vonë se në adoleshencë. Një jetë e cila është bosh e pa qëllim deri në 65 vjeç nuk do të bëhet e papritur e mbushur në pension”.
E nderuar kolege Keçmezi-Basha,
Ne që ju kemi njohur përmes veprave si studiuese dhe përmes bashkëpunimit si studiuese dhe si njeri, e konsiderojmë veten me fat dhe krenarë që ndajmë të njëjtin profesion. Dua ta potencoj pjesën humane të personalitetit Tuaj, sipas perceptimit tim. Ju gjithmonë keni reflektuar respekt, korrektesë dhe elokuencë të madhe në komunikim dhe në sjellje me të tjerët.
Arma më e fortë në pjesën njerëzore të personalitetit tuaj duket të ketë qenë sinqeriteti dhe modestia, ndërsa në pjesën profesionale puna e madhe hulumtuese dhe pedanteria e të shkruarit shkencor dhe artistik. Shumë nga ne që kemi pasur fatin të lëvizim në institute dhe universitete të botës perëndimore, kur ndodhemi përpara krijimtarisë suaj, ndihemi shumë mirë, sepse një kolege jona ka arritur të ketë një opus shkencor dhe jo vetëm të krahasueshëm me studiuesit dhe shkencëtarët perëndimorë, ani pse ka vepruar dhe krijuar në një ambient pakrahasimisht më të trazuar.
Nisur nga vlerësimet që u dhanë, konsideroj se Instituti i Historisë “Ali Hadri” ka pasur dhe ka njerëz të aftë dhe studiues të zotë, por dr. Sabile Keçmezi-Basha është dhe do të mbetet një nga simbolet e krenarisë institucionale dhe akademike të tij.
Në fund dua t’ju uroj të keni një kapitull të ri relaksues përpara, ku ju do të keni shëndet të mirë dhe kohë të pakufizuar për ta shijuar jetën tuaj dhe për të krijuar atë që mendoni se duhet ta bëni.