Në tetor në Kosovë u shënua deficit tregtar prej 355.8 milionë euro

22 nëntor 2021 | 14:02

Në tetor në Kosovë është shënuar një deficit tregtar prej 355.8 milionë euro, apo 33.3 për qind më e madhe krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, raporton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Gjatë tetorit të vitit 2021 janë eksportuar 72.6 milionë euro, ndërsa importuar 428.5 milionë euro mallra. “Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 33.3% në muajin tetor 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 355.8 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 267.0 milion Euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 17.0%. Eksporti i mallrave në muajin tetor 2021 kishte vlerën 72.6 milion Euro, ndërsa importi 428.5 milion Euro, që është një rritje prej 43.5% për eksport dhe 34.9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 26.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet minerale; 4.9% e përbëjnë produktet bimore; 2.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj. “Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 14.2% produktet minerale; 12.9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.7% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.3% mjetet e transportit; 7.1% produktet e industrisë kimike, etj.Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 22.8 milion Euro, ose rreth 31.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 39.7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.4%), Italia (6.0%), Holanda (2.7%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 175.7 milion Euro, ose 41.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7%), Italia (6.1%), Greqia (3.6%), Sllovenia (3.6%), etj”, është thënë raportin e ASK-së, duke u shtuar se në muajin tetor 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 24.1 milion Euro, ose 33.2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (12.2%), Maqedonia e Veriut (10.8%), Serbia (5.1%), dhe Mali i Zi (4.0%).

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2021, arritën në 90.3 milion Euro, ose 21.1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 31.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.3%), Shqipëria (6.3%), dhe Maqedonia e Veriut (5.6%). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 25.6 milion Euro, ose 35.3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (20.3%), dhe Zvicra (8.4%). Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 162.3 milion Euro, ose 37.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.0%) dhe Kina (10.7%)”, thuhet në raport.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tiger Woods i është rikthyer fushave të golfit, 9 muaj…