Në Tiranë kujtohet Adem Jashari (Video)
Tirana dhe Kosova përkujtojnë këto ditë komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, me të cilin nisi edhe projekti i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, së bashku me përfaqësues të bashkisë së Tiranës vendosën kurora me lule pranë bustit të heroit Adem Jashari.
Ambasadori Sylë Ukshini ka thënë se kjo ditë i bashkon shqiptarët dhe mbetet referencë jo vetëm nga e shkuara, por edhe për brezat që do vijnë.
“Sa herë kujtojmë këtë ditë dimë rrugëtimin tonë shekullor që ka qenë plot sakrifica dhe ka qenë inspiruese për të gjithë brezat. Është një ditë që na bën të përkulemi dhe të ndihemi krenarë”, ka thënë ai.
Edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ka përshëndetur sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashar.
“Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua për të disatën herë familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë. Adem Jashari së bashku me 57 anëtarët e familjes së tij u vranë. Ndaj sot, Kosova dhe Shqipëria e kujtoi sakrificën e Jasharit si një gurthemeli në ndërtimin e shtetit të ri kosovar”, ka thënë ai.