Në tri ditët e fundit, 80 mijë qytetarë marrin pjesë në aktivitete zgjedhore
Në tri ditët e fundit të fushatës, 28-30 shtator, vëzhguesit e Demokracisë në Veprim kanë vëzhguar 290 aktivitete të subjekteve politike në gjithë vendin në të cilat janë përfshirë rreth 80 mijë qytetarë.
“Tubimi publik është forma më e shpeshtë e organizimit që ka dominuar 87%-shin e aktivitetit partiak parazgjedhor. Relativisht i lartë (15%) mbetet numri i ngjarjeve që nuk janë paralajmëruar në KKZ brenda afateve kohore. Moslajmërimi me kohë i ngjarjeve zgjedhore nga subjektet politike e pamundëson informimin e drejtë dhe me kohë të publikut mbi programet e subjekteve politike në garë”, është thënë në një komunikatë për medie të DnV-së.
DnV-ja ka vlerësuar se gjuha e përdorur nga kandidatët në fushatë në përgjithësi ishte konform frymës së një fushate të lirë dhe konkurruese, ndonëse nuk kanë munguar ngjarjet kur kandidatët e subjekteve politike kanë drejtuar mesazhe fyese për kundërshtarët e tyre mbi baza partiake (22 raste).
“Pjesëmarrja e përgjithshme e vajzave dhe grave në aktivitete zgjedhore në tre ditët e fundit të fushatës ishte rreth 24%. Afërsisht e njëjtë (23.6%) ka qenë prezenca e vajzave dhe grave në cilësinë e folëseve në ngjarjet e subjekteve politike. Ky disproporcion tregon për qasjen e pabarabartë që gratë dhe vajzat kanë në fushatë në raport me konkurrentët nga gjinia e kundërt dhe kjo në përgjithësi po e bën garën zgjedhore më të disfavorshme për gratë”, është thënë në komunatë, duke përmednur edhe pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitetet zgjedhore.
“Përdorimi i resurseve publike, siç është rasti i veturave zyrtare është evidentuar në 9 aktivitete zgjedhore, ndërsa numri i veturave zyrtare në dispozicion të subjekteve në tre ditët e fundit arrin në 17. Vetëm koalicioni AAK-PSD ka përdorur gjithsej 13 vetura në 5 ngjarje. Përdorimi i resurseve shtetërore, financiare e njerëzore nga subjektet politike në pushtet krijon avantazh të dallueshëm për ta dhe çrregullon parimin e garës së barabartë në mes të subjekteve por edhe ne mes të kandidatëve brenda subjekteve. Në përgjithësi shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime fushate e bën të cenueshëm integritetin dhe konkurrencën e drejtë në fushatë”, la vlerësuar DnV-ja.
Në raport e shkeljet e rregullave të fushatës, DnV gjatë 6 ditëve të fushatës, ka dorëzuar gjithsej 15 ankesa në PZAP, 10 prej të cilave janë miratuar (vlera e gjobave, 49,550 euro), 1 është refuzuar dhe 4 janë në pritje për shqyrtim.
Sa i përket mbulueshmërisë së aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike nga mediat, DnV-ja ka treguar që më së shumti mbulueshmëri ka pasur LDK me 106 minuta, pastaj VV me 91 minuta, AAK-PSD me 82, PDK me 80, Nisma AKR-PD me nga 79 minuta, Lista Serbe me 23 minuta, Fjala me 6, SLS 6 minuta dhe PEK me 5 dhe partitë nga minoritetet tjera me vetëm 7 minuta.
Nga monitorimi i transmetimeve direkte “livestream” përmes Facebookut të portaleve, sipas DnV-s. prinë LDK me 749 minuta nga katër, portale Koalicioni AAK-PSD me 511, nga 5 portale, PDK me 355 minuta nga gjashtë portale (prapë RTK transmetoi vetëm tubime të PDK-së) dhe Nisma – AKR-PD që ka 248 minuta ‘livestream’ nga vetëm 4 portale, VV dhe të tjerat nuk kanë.
Shpenzimet e subjekteve politike në aktivitetet e monitoruara nga DnV për tre ditët e fundit kapin shifrën mbi 500,000 euro.
Në këtë total hyjnë shpenzimet që lidhen me organizimin e aktiviteteve zgjedhore, të kalkuluara sipas çmimeve mesatare të tregut. Këtu nuk përfshihen zbritjet e mundshme që operatorët ekonomik ofrojnë për subjektet politike apo kandidatët për deputetë.
/Epoka e re/