Në trojet shqiptare nuk ka “shtëpi të verdhë”, ka vetëm shtëpi me gjak në mure

20 janar 2025 | 19:04

Arthur A. Kurtallari

Familjarët martirë të lirisë, me shpirtin në parajsë dhe trupin prehur në tokën amë, Fadil Muçolli i la për pak kohë në Dardani dhe erdhi në Lumë përmes “Drinit të Bardhë” për ta na treguar me emocione të mëdha se sa e vështirë ishte rruga drejt lirisë.

Afrim Hysenaj, luftëtari i UÇK-së dhe biri i dheut dardan, e qëndisi në rreshta të përjetshëm, prej fjalësh shqip, të gjithë sakrificën e tyre, e përmes librit “Shtëpia me gjak në mure”, na solli në mes të Lumës dëshmi të jashtëzakonshme të qëndresës!

E vizitova Poklekun vjeshtën e shkuar. Për atë çka ndjeva do të shkruaj një tjetër ditë, sepse as zemra, as mendja e as trupi nuk më përgjigjen për ta treguar përmasën e asaj tragjedie.

I ftova Fadilin dhe Afrimin të vinin në Lumë, e dje, në përvjetorin e kryezotit Skënderbe, i patëm këtu mes nesh, siç dikur kur bëmë detyrën kombëtare dhe njerëzore të mikpritjes, e ndamë me ta çaste të paharrueshme.

Në emër të Fadilit, Afrimit dhe Remzi Krasniqit do t’i falënderoj sot e gjithë jetën krejt lumjanët që erdhën në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”, nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela”, nënkryetarët e Bashkisë Kukës, znj. Elgida Bilali dhe Lavdrim Spahiu, mësues, kolegët gazetarë, familjarë, intelektualë të qytetit, pasardhës të dëshmorëve, përfaqësues të Lidhjes së Shkrimtarëve, veprimtarin e UÇK-së Fidaim Didën dhe mikun tim më të mirë, Admir Sinamatin.

Falënderim dhe përulje për Fadil Muçollin, Afrim Hysenajn dhe Remzi Krasniqin për praninë e tyre në Lumë. Veprat e tyre, në luftë dhe pas lufte, shënojnë aktin më të lartë të përpjekjeve për një komb të lirë e të begatë.

Në mbrëmje ata u larguan drejt Drenicës, për t’u kujdesur sërish për të rënët e të gjallët. Fadili për ta mbajtur ndezur dritën dhe emrin e të rënëve, e Afrimi për të mbledhur të tjera fakte dhe dëshmi të luftës.

Në trojet shqiptare nuk ka asnjë “shtëpi të verdhë”. Ka vetëm shtëpi me gjak në mure. Të gjitha shtëpitë e atdheut tonë janë me gjak në mure.

Që historia të mos na përsëritet, le ta vendosim këtë libër në një vend të dukshëm në shtëpitë tona, si testament i të rënëve për liri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Titanët e teknologjisë me më shumë ndikim janë rreshtuar të…