Në Turqi arrijnë dërgesa të reja të sistemit rus ‘S-400’
Rusia ka dërguar komponentët e rinj të sistemit të saj të mbrojtjes raketore “S-400” në Turqi.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë ka njoftuar sot se kontingjenti i pestë dhe i gjashtë rus ka arritur në bazën ajrore Murted, që gjendet pranë kryeqytetit, Ankara.
Ministria po ashtu ka theksuar se edhe dy aeroplanë të tjerë, pritet të vijnë gjatë ditës.
Turqia ka pranuar tri dërgesat e para të komponentëve të sistemit “S-400” më 12 korrik dhe dërgesën e katërt një ditë më pas.
Ankaraja ka blerë sistemin e mbrojtjes raketore ruse, pavarësisht se Uashingtoni e ka kërcënuar atë me sanksione.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët konsiderojnë se sistemi “S-400” nuk është në përputhje me sistemet e NATO-s dhe paraqet kërcënim për avionët luftarakë të tipit “F-35”.
ShBA-ja i ka dhënë afat Turqisë që deri më 31 korrik të tërhiqet nga blerja e këtij sistemi ose në të kundërtën nuk do të ketë më kontratë me Uashingtonin për prodhimin e avionëve “F-35”.
Por, Uashingtoni tashmë ka nisur procedurat e heqjes së Turqisë nga programi për prodhimin e avionëve “F-35” dhe po ashtu ua ka ndaluar trajnimin pilotëve turq në ShBA.