Në Uashington shënohet 70-vjetori i NATO-s
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, do të fillojnë takimin dy ditor në Uashington, për të shënuar 70 vjetorin e formimit të Aleancës si dhe për të diskutuar kërcënimet e sigurisë përfshirë Rusinë dhe Afganistanin.
Para se të fillojë shënimi i 70 vjetorit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe i kërkoi atij që vendet anëtare të paguajnë më shumë për mbrojtje.
Stoltenberg do ti drejtohet të mërkurën Kongresit amerikan. Kjo është hera e parë që një Sekretar i NATO-s iu drejtohet ligjvënësve amerikanë.
Më 4 prill, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, do të mbajnë takim në Departamentin e Shtetit, ku do të diskutojnë për Rusinë.
Ata pritet të fuqizojnë masat në Detin e Zi për të siguruar mbrojtje më të mirë të rajonit.
Në agjendë do të jenë gjithashtu edhe situata në Afganistan si dhe rënia e traktatit bërthamor të cilin SHBA-të dhe Rusia e nënshkruan në përfundim të Luftës së Ftohtë.
Planet e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore po ashtu do të jetë në fokus të diskutimeve ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s./rel/