Në UKZ mbahet takimi i parë i partnerëve për fillimin e projektit Heras
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, në bashkëpunim me Universitetin e Salzburgut për Shkenca Aplikative nga Austria dhe partnerët e saj – universitetet publike në Republikën e Kosovës, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ditë më parë kanë fituar projektin ndërkombëtar nën programin Heras “Higher Education Research and Applied Sciences in Kosovo”, program që financohet nga Austrian Development Cooperation dhe Republika e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë.
Si rrjedhojë e kësaj të martën në Universitetin “Kadri Zeka” rektorët e këtyre universiteteve dhe përfaqësues të projektit Heras kanë zhvilluar takimin e parë për fillimin e projektit “Promoting International Relations in the Higher Education in Kosovo/Promovimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Arsimin e Lartë në Kosovë”.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan dhe punuan që ky projekt të fitohet dhe të ketë rezultatet e veta në zbatim.
Rektori Kosumi ka thënë se është kënaqësi që sot po fillojmë një projekt të përbashkët. Më pas ai ka paraqitur para pjesëmarrësve një historik të universitetit, derisa në ndërkohë ka folur edhe rreth punës, zhvillimeve dhe të arriturat e UKZ-së për fakultetet dhe programet të cilat funksionojnë në kuadër të universitetit, rreth marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve institucionale dhe aktiviteteve të tjera.
Përfaqësuesja e projektit Heras, Arbëresha Meha, ka thënë se projekti Heras ka për qëllim të kontribuojë në funksionimin e mirë të Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe zonës Evropiane të Hulumtimeve (ERA) me objektivë afatgjatë për ta përkrahur zhvillimin socio-ekonomik të vendit.