Në Universitetin e Prishtinës mbahet konferenca ndërkombëtare NETTIES
Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po mbahet konferenca ndërkombëtare NETTIES, me temën “Promovimi i inovacionit dhe TIK-ut në progresin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të vendit”.
Kjo konferencë, e organizuar nga Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare për e-Shkencë (IAFeS), ka mbledhur studiues dhe akademikë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar lidhur me tematikën e këtij edicioni.
Në hapjen e kësaj konference, të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, i cili u ka uruar mirëseardhje pjesëmarrësve dhe u shpreh i lumtur që kjo konferencë po mbahet në hapësirat e UP-së. “Ju uroj mirëseardhje të gjithë juve që jeni zgjedhur si pjesëmarrës në këtë konferencë. Njëherësh, shfrytëzoj mundësinë për ta falënderuar Shoqatën Ndërkombëtare për e-Shkencë që ka zgjedhur universitetin tonë si partner kryesor për organizimin e kësaj konference”, ka thënë rektori Dema.
Ai gjithashtu ka vlerësuar faktin se konferenca NETTIES mbështet konceptin e interdisiplinaritetit, duke theksuar se ky aktivitet është një mundësi e artë që të diskutohet për fusha të ndryshme, të cilat janë në interes të pjesëmarrësve dhe shoqërisë.
Në këtë organizim foli edhe presidenti i IAFeS-it, Radu Vasiu, njëherësh edhe rektor i Universitetit Politeknik të Timishoarës, i cili u shpreh i lumtur që edicioni i 17-të i kësaj konference po mbahet në Prishtinë.
Ai ka thënë se Kosova ka shumë potencial dhe ka nevojë që këtu të promovohen ide të reja nga fusha të ndryshme. “Jam i lumtur që jemi këtu për të promovuar ide të reja nga secila fushë, duke përfshirë atë të ekonomisë, e cila e ndërton të ardhmen e vendit”, ka përfunduar ai.
Kjo konferencë mbahet çdo vit në vende të ndryshme të botës, ndërkaq edicioni i sivjetmë po mbahet në Universitetin e Prishtinës. Konferenca NETTIES do të zgjasë tri ditë me radhë.
/Epoka e re/