Në Universitetin “Ukshin Hoti” u mbajt Konferenca XV Ndërkombëtare Ndërdisiplinore

21 mars 2021 | 13:50

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, më 19 dhe 20 mars 2020, ka zhvilluar punimet Konferenca IV Ndërkombëtare e Forumit Sociologjik Ballkanik (BSF) “Ballkani – Një qasje krahasuese dhe integruese” dhe Konferenca XV Ndërkombëtare Ndërdisiplinore: “Studime krahasuese në shoqërinë moderne, Ballkani në kontekstin evropian dhe global”.

Konferenca ka zhvilluar punimet në mënyrë të kombinuar, online dhe fizikisht.

Në këtë konferencë janë prezantuar 223 punime nga 333 autorë e koautorë nga 23 shtete. Nikoqiri i kësaj konference, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. asoc. dr. Ismet Temaj, në fjalën hyrëse ka theksuar se mbajtja e kësaj konference është e rëndësime për universitetin që drejton, për Kosovën, për rajonin por edhe për shkencën në përgjithësi.

“Tematikat që do të trajtohen gjatë kësaj kohe dhe numri i madh i studiuesve nga shumë shtete janë treguesit për seriozitetin e Konferencës. Pra, kjo dëshmon që Universiteti ‘Ukshin Hoti’, Prizrenin si kryeqendër kulturore e historike, po e shndërron në kryeqendër edhe të shkencës”, ka thënë ai, duke shtuar se si universitet janë të hapur për projekte të ngjashme të interesit të përbashkët me të gjithë partnerët e kësaj konference.

Në hapje të punimeve të kësaj konference, një fjalë rasti e mbajti edhe studiuesi dhe ambasadori dr. sc. Sabri Kiçmari.

Ai ka theksuar se Ukshin Hotin, nga ambientet e larta institucionale dhe shkencore, regjimi e zbret në burg për shkak të bindjes së tij politike dhe kërkesës së tij për republikë.

Kiçmari ka shtuar se pas daljes nga burgu filloi persekutimi i dytë i natyrës shoqërore, duke u stigmatizuar në xhami dhe oda nëpër fshatra, në rajonin e Prizrenit. “Këtë lloj linçimi publik ai e shtjellon si formë të presionit për të mos menduar ndryshe nga estabilishmeti”, është shprehur Kiçmari, duke shtuar se duke lexuar Ukshin Hotin e ndjejmë mungesën e tij në Prishtinë.

Koordinatori i kësaj konference i ka falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë në realizimin e kësaj konference, në veçanti rektorin Temaj, nën patronatin e të cilit është bërë organizimi i kësaj konference.

Kjo konferencë ka qenë e paraparë të mbahet në nëntor të vitit të kaluar por është shtyrë për këtë muaj për shkak të situatës me pandeminë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i ka bërë thirrje Rusisë…