Në UP, hapet edicion i nëntë i Panairit Virtual të Karrierë

03 maj 2019 | 18:06

Në Sallën “1 tetori” të premten është hapur edicioni i nëntë i Panairit Virtual të Karrierës (PVK), i organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me projektin partner të GIZ-it, DIMAK Kosova.

Edicioni i sivjetmë i PVK-së u mbajt së bashku me Panairin Nacional të Punës, të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe partnerë të tjerë.

Në hapjen e Panairit Nacional të Punës dhe Karrierës të pranishëm ishin rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, zëvendësambasadori në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Jan Axel Voss, udhëheqësja e DIMAK Kosova, Anja Tomic, Nora Hasani – Llapashtica nga Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, përfaqësues të kompanive, studentë dhe të diplomuar.

Të pranishmëve në këtë edicion iu drejtua me fjalë rasti rektori Dema, i cili bëri hapjen zyrtare të Panarit Virtual të Karrierës së UP-së.

Ai ka uruar që ky panair të arrijë misionin e tij për gjetjen e vendeve të reja të punës dhe ofrimin e mundësive për zhvillim të karrierës.

“Uroj që ky panair, i ideuar për studentë dhe të diplomuar të shërbejë në gjetjen e mundësive për qasje në tregun e punës dhe zhvillim të mëtejshëm në karrierë. Ndërkaq, juve punëdhënës dhe ofrues të shërbimeve për karrierë, iu falënderoj për mundësinë që po i jepni studentëve dhe të diplomuarve tanë, mundësi këto që do iu shërbejnë edhe kompanive tuaja për të fituar kuadro të përgatitura profesionalisht”, ka thënë Dema.

Në anën tjetër, hapjen e Panairit Nacional të Punës e bëri ministri Reçica, i cili ka theksuar se ngjarja e sotme është një mundësi e mirë, si për punëdhënësit potencialë, ashtu dhe për punëkërkuesit.

Hapjen e panairit e përshëndetën edhe përfaqësues nga DIMAK Kosova, Ambasada Gjermane dhe Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, të cilët konsideruan se realizimi i këtij panairi paraqet një mundësi unike për ndërlidhjen e punëkërkuesve me tregun e punës.

Në Panairin e Karrierës të UP-së morën pjesë 27 institucione, organizata, qendra dhe zyre.

Panairi Nacional i Punës dhe Karrierës ofroi për punëkërkuesit afro 2 500 mundësi për vende pune dhe rreth 1000 mundësi për punë praktike. Edicioni i sivjetmë u organizua nën moton “Eja, rrjetizohu me punëdhënësit”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luis Figo i ka sugjeruar yllit të Paris Saint-Germainit, Neymarit,…