Në vend të rehatisë personale Hashim Thaçi zgjodhi përballjen historike
Shkruan: Izmi Zeka
Ishin vite të largëta ato kur Kosova përjetonte vrasje, dhunë e dhimbje çdo ditë, që kur shikohet nga perspektiva e sotme, njeriu nuk mund ta besojë. Aso kohe kur studimet, miku im, ishin vendi nga ku buronte dashuria për atdheun, ku rinia studentore donte organizim e ballafaqim deri në përballje me egërsinë serbe. Aso kohe dukeshin edhe dimrat më të vështirë.
E, ne ëndërronim një jetë të lirë, pa ushtarin dhe policin serb në Kosovë, pa dhimbjen e pa vajin e nënave që humbnin djemtë e vajzat e tyre. Ishin kohë të largëta të robërisë shekullore vitet e 90-ta.
Ti miku im, ndonëse një djalë i ri, ruaje qetësinë, një qetësi që nuk përkonte me moshën. Ndoshta vetë rrethanat të kishin pjekur para kohe.
Brenda teje, kishe diçka të Drenicës dhe jetës urbane, një bashkëdyzim që nga kjo distancë duket vështirë e shpjeguar. I qetë e fjalëpakë, me flokë të zeza, të pathinjura e me kostumin që nuk ndryshove asnjëherë.
Ti miku im, në ato vite të rënda e kishe kthyer jetën studentor në lëvizje çlirimtare, kurse vrullin rinor e ktheve në një shpërthim revolucionar kundër robërisë.
Ajo kohë e pa kohë ishte bërë aq e rëndë sa jeta kishte filluar të humbiste kuptimin në robëri. Ti edhe me heshtje flisje qartë.
Sa me ëndje kujtoje Rexhepin, Nuhiun Afrimin e Fahriun. Ti kishe sjellë diçka nga trimëria në Prishtinën e kthesave, kishe marrë nga pak nga poezia e Dritëroit e Lasgushit, e njihje mirë edhe Migjenin, pa harruar se rilindësit ishin burimi nga e ndërtove filozofinë e ruajtjes dhe çlirimit të Kosovës.
Ti miku im kishe një mision sa njerëzor, aq edhe fisnik. Lufta për çlirim, miku im, është akti më fisnik që mund të bëjë njeriu. Vitet ecnin dhe koha për ri-ngritje, ringjallje vetëm sa rritej e shtrihej në çdo cep të Kosovës.
Ti miku im kishe një amanet. Në kohën kur duheshe të merreshe me profesionin e profesorit të historisë, ti zgjodhe misionin historik të shumë brezave të kaluar. Nga kjo distancë duket absurde atë që bëre ti asokohe. Sa luftëra u bënë, sa mijëra shqiptarë u vranë, sa mbetën të gjymtuar, sa e sa qindravjeçarë ikën dhe atë që bëre ti, koha e sotme e dëshmon se individi ka rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në vlimet e zhvillimet çlirimtare.
Miku im, ti e dije aso kohe se shumë qytetarë thoshin që Serbia është e fortë dhe sikur ishin mësuar e mishëruar me gjendjen ekzistuese. Thënë qartë kishin filluar të akomodohen me dhunën e përditshme dhe vrasjet e pandalshme.
Vetëm burgu ishte vendi ku zihej liria dhe aty dukej vrima e shpresës, ama ishte burg.
Kur bota vetëm numëronte dhimbjet tona, vrasjet e ku shpresa për liri gati sa nuk kishte humbur kuptimin, me ngritjet dhe uljet, ti dole si feniks për të ngjallur një fije shprese dhe lehtësimi shpirtëror se ende mund të ri-ngrihemi.
Ringritja ende dukej larg, sepse nënshtrimi kishte marrë rrugë. Ama kush ta besonte miku im. Ishim dorëzuar, ishim sfilitur dhe askush s`e besonte se lufta për jetë, ishte më afër se këmisha që mbanin veshur.
Kosova ishte kthyer në një ferr, ku kishte filluar të pëshpëritej se lufta ishte në prag. E kush do ta mendonte në Kosovë, ku ishte ngulitur thellë pajtueshmëria me robërinë, se djalëria që kishte kohë që jetën e kishte vënë në peshore të historisë me çmimin për jetë a vdekje. Ishin ata që nuk e kishin pranuar robërimin e shpirtit. Prishtina vlonte nga kafenetë.
Dhe dukej sikur të ishte në tjetër botë. Bëhej luftë për mbijetesë kolektive, për të mos lejuar fyerjen njerëzore dhe historike të shqiptarëve. Atje luftohej për liri e këndej qyteti vlonte nga zhurma e kamionëve dhe bisedave pa kufij, duke ëndërruar veten të lirë.
Çfarë paradoksi, miku im! Edhe kur familja Jashari luftoi tre ditë pa ndalë, disa pyesnin kush janë ata njerëz, pse nuk ndenjën rehat. Edhe kur u vranë të gjithë, prapë njerëzit gjenim diçka për të thënë, sepse frika kishte mbytur palcën tonë.
Prishtina universitare, aty ku mësuam për histori, Prishtina e shkencës dhe artit bënte analiza shkencore në rehatinë e sundimit klasik serb. Çfarë jete në mes të zjarrit dhe shuarjes së një kombi. Nuk besonin, miku im, se dikush mund t`ia kthejë pushkën armikut (shkaut). Nuk e besonin.
Miku im, kur u niset për Rambuje dhe kur lufta nuk pyeste për askënd, sikur ringjallja dhe ri-ngritja po merrte kuptim lirie. Nuk të njihnin dhe as nuk e dinin se nga ishe ti. Delegacioni 5 anëtarësh i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje sikur ndezi shpresat se Kosova paska zot shpie.
Universiteti i Prishtinës, ai djaloshi shembullor i filozofikut, ai djaloshi i demonstratave të kryeqytetit, Hashim Thaçi qenka në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vrasjet e pamëshirshme filluan ngado, vriteshin shqiptarët në sytë e Evropës, fëmijët, plakat, një popull dëbohej me dhunë matanë kufirit. Serbët e donin Kosovën tokë të djegur. Televizioni Shqiptar (RTSh) njoftonte përmes zëdhënësve të UÇK-së për përleshjet që ndodhnin në tokat shqiptare. Masakrat nuk kishin të ndalur.
E ti miku im bëre historinë në Rambuje. Aty ku ndesheshin dy botëkuptime, dy histori, që njëra na kishte marr pengë jetën. Ishte një moment ku ndesheshin civilizimet. E ju mbrojtët dimensionin historik dhe real të shqiptarëve.
E kush do ta mendonte, miku im, se ti do të ishe vetë historia, vetë lufta e përpjekja, dija e shkenca, vetë humanizmi dhe liria. Koha tregoi se mbrojte qytetërimin evropian, që mund të thuhet lirshëm, nga sadizmi serb.
Në tokën e djegur nga zjarret, nga Kosovën e varreve dhe vajeve, erdhi liria e më vonë edh pavarësia, por lufta e shtrigave nuk u ndal asnjëherë në dëm të Kosovës.
Ti e kuptove më mirë se cili do tjetër se bota dhe perëndimi nuk mund ta kenë barrë historinë e Kosovës.
Ti arrite të kuptoje se Kosova mund të jetë e zhvilluar dhe me ndikim, kur i ka miqtë afër, por edhe e ruan me fanatizëm këtë miqësi.
Ti shihje pas bregut kalkulimet e diplomacisë botërore, ti e kuptoje më së miri se kush ishin miqtë dhe kush ishin armiqtë e Kosovës.
Eh mor miku im, kur në Parlament u votua Gjykata Speciale, piketim kryesor nga Dik Marti ishit ju. Ishit ju, sepse ju për Kosovën bëtë atë që nuk mund ta bëjnë të tjerët. Ju hoqët një barrë që rëndonte me shekuj mbi Kosovën. Ju donit të mbyllnit çështjen e Kosovës, por hienat nuk ndaleshin, qoftë brenda, qoftë jashtë, me jetën tuaj.
E kush do ta bënte një akt të tillë intelektual e kombëtar, siç e bëre ti, për 30 vite sakrificë, luftë e punë për shtetin e Kosovës.
Sot kur ne festojmë 15-vjetorin e pavarësisë, miku im, ti gjendesh në Hagë. Mos harro edhe aty ti je në një përballje mes civilizimit dhe egërsisë së lindjes. Aty je vetëm për një arsye, pse munde Serbinë.
Aty do të kesh përballë një dosje me mijëra faqe e akuzash të shkruara e sajuara nga gjyqtarë e prokurorë serbë në Beograd e, për fat të keq edhe nga disa shqiptarë që ende punojnë për atë regjim vrastar.
Miku im e tëra kjo është një skenar. Ama ti për një kohë të shkurtër do të përmbyllësh me elegancë edhe këtë cikël, do të ngadhënjesh edhe mbi këtë akt të turpshëm, të sajuar nga agjentura të ndryshme, me dokumente të porositura dhe do të kthehesh në tokën që i dhe frymë, jetë dhe buzëqeshje të ardhmes.