Në vend të reportazhit për festivalin “I këndojmë lirisë”

09 qershor 2023 | 11:45

Nga Kulla e Gurtë, në Qytetin e Festivalit

Që në mëngjes u hapën portat e drunjta në kullën e gurtë të bacës Lilë. Para nesh shfaqet flamuri kombëtar, oborri i gjerë, statujat e mermerta të tre dëshmorëve dhe tendat për mysafirë. Të gjitha duken hijerënda dhe krenare. Kujtimet vijnë e bëhen tok me mesin e ditës, duke lartësuar ndriçimin e tyre që depërtoi ngadalë zgavrave të ngushta të kohës dhe mori dhenë me dritën e shenjtë të saj që çliroi veten dhe tokën tonë.

Në vigjilje të fillimit të këtij edicioni në Klinë, në Qytetin e Festivalit, pak para mbrëmjes, qytetarët ecin nxitimthi, shkojnë drejt sheshit të madh, këtij sheshi të hijshëm dhe të mbushur përplot pemë, të mbjella me aq shije përgjatë rrugës kryesore. Defilojnë ansamblet, trupat artistike, organizatorët dhe përcjellësit nga mbarë trojet shqiptare. Shkojnë rrugës së kalldrëmtë që i bie mespëmes kësaj vatre të kulturës, të arsimit, të artit dhe të kontributit madhor për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Qyteti i Festivalit është vend i urtisë dhe i bashkëjetesës së pasur shpirtërore. Në këtë qytet, sheshi qendror i tij është qendrëstar i madh i kohës. Lartëson kujtesën në ballin e kohës dhe në gjirin e tij ruan shtatoren e Mujë Krasniqit – Kapuçit.

Dikur fillon të duket mbrëmja verore e qershorit dhe në këtë fillimbrëmje që është nata e parë e Festivalit, duket sikur shumëzohet masa e qytetarëve. Pastaj shumëzohen edhe natën e dytë, të tretën…. Në orën njëzet nis jehona e madhe që shpërndahet gjithandej sheshit dhe rrethinës. Të gjithë bëhen sy e vesh. Të gjithë drejtojnë sytë kah skena impozante. Pallatet përreth më nuk mbesin pa drita si dikur. Te Ura e Haxhisë dikush mirëpret mysafirët në hyrje të qytetit. Athua ç’do të bëhet në ditën e katërt kur ky eveniment do të përmbyllet! Ndoshta Drini do të joshë zogjtë për të kënduar brigjeve të tij, sepse zemra e Qytetit të Festivalit ruan për vete një shtjellë të madhe dhe lëshon shpirtin në eter; e shpërndanë si kolonë zanore të pashuar; e hedhë në hapësirë me miqësitë e reja që u zunë, me bisedat e panumërta që u bënë për performancën e këngëtarëve dhe valltarëve anembanë shqiptarisë. Klina do të pikturojë rrathët e rinj mbi mozaikë këngësh dhe kujtimesh kombëtare. Natyrisht nuk do të pajtohet të mbarojë gjithçka kaq shpejt. Një kor i padukshëm, si vetë rrjedha e lumenjve klinas do të ecën edhe shumë ditë më pas. Qyteti i Festivalit do të ndritë edhe muajve të tjerë, i parrethuar nga harresa, ndaj tekefundit, bukur gjatë, të gjithë i këndojmë lirisë.

Gjurmët e kohës në rrëfime

Duke qëndruar mes haresë së njerëzve, brenda Qytetit të Festivalit, dëgjon qytetarët tek flasin për heroin e tyre dhe gjurmët e tij në domenin e artë të qëndresës kombëtare për liri, pavarësi dhe, qoftë e thënë përjetshëm, edhe për gjurmët e ardhshme për bashkimin kombëtar. Ky festival, është shenjë identiteti, nga i cili burojnë pararendje të themelta të një protagonisti të shquar historik. Dëgjon tek thuhet mes tyre se kënga shqip mbajti gjallë frymën e qëndresës, formësoi breza e breza nën kultin e saj, nën tabanin dhe strehën epike të vatanit ku ndizej zjarri i madh e ku digjej trungu që fliste shqip, digjeshin degët që lëkundeshin shqip, ku fletët binin e ridilnin shqip. Qyteti i Festivalit hyn në krijimtarinë e pandalshme kolosale me Mujën që amshon në deltën historike. Dëgjon bashkëveprimtarët e tij, që, thonë se pikërisht në sallën ku këndoi Muja mbahen akademi përkujtimore për figurën e tij – në Jehonën  e Dukagjinit apo në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Thonë se Muja vazhdoi të këndojë, të këndojë e të këndojë pafund, në mënyrë të paepur, edhe pse dimrat e robërisë së Kosovës vazhdonin atëherë vallen e pashkëputur dhe zbardhnin malet e saj si statuja të bardha. Pastaj, flasin bashkëluftëtarët e tij, që thonë se nuk vonoi shumë dhe një gjë iu bë lajtmotiv jete – lufta e pakompromis çlirimtare kundër aparatit policor dhe ushtarak të shtetit serb që sundonte Kosovën. Ata, thonë që Ai nuk e harroi këngën edhe në çaste më vendimtare të betejave të shumta që zhvilloi. Në mendjet e tyre ka mbetur thellë, se Ai ishte himn, mobilizim, kushtrim, apel, grishje e pambarimtë për daljen nga robëria serbe. Evokojnë kujtime për forcën e tij qëndrestare në kohën kur ende askush nuk ia zgjaste dorën popullit të tij për t’u ngritur nga balta e sundimit. Edhe vetë skena e Festivalit, rrëfen se kur u ngrit Ai për liri ishte çasti i artë historik dhe Ai nuk hyri vetëm për të marrë pjesë në vullkanin e luftës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës që të shuhej për një kohë të shkurtër dhe që ëndrra e tij për liri të mbetej vetëm në kujtesën rapsodike. Në rendjet e reja të këtij festivali nuk vdes epika shqiptare, si një thirrje fundore për ndryshimin e kapitullit njerëzor të flijimit dhe kontributit atdhetar, që edhe me Aliun e Beqën u zgjua si një okarinë e lashtë dhe krejt papritmas u afrua pranë një harfe të braktisur dhe guximshëm lëviz nëpër ajër, duke krijuar harmoninë e rrallë të lirisë. Këngëtarët kujtojnë e rrëfejnë se gjatë kësaj kohe, një galaktikë tjetër e këngës shndriste anembanë vendit dhe më në fund i erdhi në ndihmë yjësisë së Mujës me artin e melosit të trashëguar ndër breza. Beqir Sefë Gashi qëndroi pandashëm në krah të tij, si një bilbil i papërsëritshëm, me zërin e dhuruar nga vetë Perëndia. Ai ishte ylli i qiejve më të shndritshëm të këngës. Ishte ishull në vete dhe për vetë jetën. Ishte vetë nota e jetës dhe lartësia e skajshme e melosit popullor. Në festival rrëfejnë edhe historianët me kumtesat e tyre, thonë, që, kur rrënjët e lirisë dhe flijimi i tillë atdhetar përputhen shëndetshëm është fat i madh për një komb. Kjo vlen për secilën grimcë të ajrit të Drenicës, Dukagjinit, Pashtrikut, Kosovës dhe Shqipërisë.

Kronistët dëgjohen që rrëfejnë se nga ana e Llapushës veriore, ku shtrihet Çabiqi, ekziston një hambar i traditave të gërshetuara kulturore-historike dhe vesa e harresës nuk do të bie në asnjë mbrëmje mbi kullën e gurtë të Mujës dhe mbi Qytetin e Festivalit, sepse kufijtë e atdheut bashkohen këtu me fjalën, flijimin, lirinë, vallen, këngën, jetën…

Në Kullën e Gurtë dhe në Festivalin e Qytetit, këngët dhe rrëfimet shndërrohen në reportazh ligjërimesh për ushtarin e dalluar të Atdheut- Mujë Krasniqin – Kapuçin, kurse bukuria e lirisë shfaqet në secilin qershor dhe vështron matanë kohëve.

 (Autori, Bedri Gashi, ishte bashkëluftëtar i hershëm dhe krahu i djathë i Mujë Krasniqit-Kapuçit, i plagosur më 25 mars 1998 në rrethinat e Kijevës, me ç’rast ishte shëruar në Abri të Naltë nga dr, Gani Halilaj, ku qëndroi deri më 11 prill 1998 dhe pas shërimit sërish iu bashkua radhëve të tij).

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person në Skenderaj, mëngjesin e djeshëm ka njoftuar policinë…