Në vend të urimit…
Pandeli Majko
Çdo vit në mëngjesin e 29 nëntorit urimin e parë e kam pasur për këtë datë të shënuar. Ajo është dita e përvjetorit të çlirimit dhe fitores së Aleancës së shqiptarëve me antifashizmin. Ajo i dedikohet nderimit për partizanët, midis të cilëve edhe xhaxhai im, që qysh 14 vjeç, iu bashkua atyre që çliruan vendin.
Ky 29 nëntor më duket i akullt e tinëzar. Dhe kjo nuk ka të bëjë me Luftën dhe LANÇ.
Lexova që deklarimet e mia për hapjen e kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, janë quajtur si “fishekzjarrë”. (!) Kjo nuk i takon penës së gazetarit por informacionit që po shpërndahet.
Për ata me kujtesë, shpresoj t’u kujtohet vizita zyrtare e kryeministrit Haradinaj në Tiranë këtë vit.… Mund të konsultohen edhe me videon nga konferenca e shtypit e dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës më 27 shtator 2017 pas takimit zyrtar.
Shpresoj, që 1 janari 2018 të jetë provë se kufiri “jugosllav” midis dy shteteve tona do të kthehet në një kufi të standardeve të Bashkimit Evropian. Si mund të integrohemi tek të tjerët kur nuk jemi të aftë ta bëjmë të ndodhi me njëri-tjetrin?!
I kam hedhur poshtë me neveri ata që paralelizonin 29 nëntorin e çlirimit të Shqipërisë me atë të Jugosllavisë.
Shqiptarët u prenë në besë në Luftën e Dytë. Ndërsa një pjesë luftonin për të çliruar Jugosllavinë, një pjesë tjetër u masakrua si rishkrim i historisë së vjetër jugosllave në marrëdhëniet me shqiptarët.
Nuk justifikoj kërkënd. E di që ka pasur edhe “shqipfolës” në krah të Jugosllavisë së Titos kundër shqiptarëve, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë.
E vërteta e vërtetë, është se nga të dyja krahët e kufirit Shqipëri-Kosovë, ka edhe sot, që nuk e duan që të ndodhë ajo që pritet. Ajo për të cilën shqiptarët u vranë në 1944-n dhe 1999-n.
Duke u gdhirë 1 janari, në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, fjalët “seriozitet” apo “fishekzjarr” do të kenë provën e tyre. Pas kësaj, do të flas! Uroj, që të jetë urim!
Lavdi dëshmorëve!
Lavdi atyre që ditën pse jetuan!