“Në vendet e tjera s’i shohin as në ëndërr rezultatet e mia”, Gashi e Gjinovci kritikë ndaj Kurtit që u vetëlavdërua për qeverisjes së tij
Vazhdon të recitojë shifra e krahasime tejet të përzgjedhura për të përçuar atë që ai e quan progres të vendit në periudhën kohore të qeverisjes së tij.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke operuar monologisht para partisë së tij madje u lëshua edhe në atë që filozofikisht quhet solipsizëm – ku për të ekzistuar diçka, duhet ta perceptojë ai (ose ekskluzivisisht ai) – si njëfarë: mendoj e perceptoj unë këtë-këtu-kështu, prandaj kjo-këtu-kështu edhe është.
Ndonëse Kosova është vendi më i varfër në Evropë – siç edhe pohuan vetë kur ishte fjala për përmbushjen e kërkesave të NjSI-së të cilët protestuan para qeverisë – Kurti para partisë së tij u lëshua edhe në një vetëlavdërim dhe vetëmadhërim në shpërpjestim të thellë me realitetin duke thënë “vendet e tjera as në ëndërr si shohin këto rezultate”.
Po ta dëgjonte dikush që s’jeton në Kosovë do të mendonte që këtu ka tepricë të mirëqenies të cilës bota i lakmon dhe do të konsideronte në mendim të parë t’ia mësynte për të jetuar. Por, çka tha saktësisht ai?
“Të hyrat buxhetore 2.6 milionë euro. Ne po e tejkalojmë vetën. Në vendet e tjera as në ëndërr si shohin këto rezultate, këtë vit 15% më shumë të hyra se në vitin e kaluar. Buxhetin e kemi rritur për 35% më shumë. Ata para neve pasuroheshin individët, tash i ka kapur sikleti që po pasurohet shteti. Me këto të arritura duhet të jemi krenar dhe t’i afirmojmë ato. Ata që i denigrojnë këto mjete nuk i kuptojnë hallet e të gjithëve. Ata që i quajnë këto mjete lëmoshë, nuk e di se çka i mundon familjet”, tha Kurti para partisë së tij.
“Qeveria jonë i plotëson edhe zotimet e rrejshme të qeverive të kaluara. Ne i plotësojmë zotimet tonat, por edhe ato të mirat që mund të kenë pasur ata të këqijtë. Në vitin 2024 do të kemi edhe më shumë fitore. Por, nuk duhet harrur sfidat që kemi pasur për të arritur deri këtu”, shtoi ai.
Këtu i përvjelën mëngët të çuditur edhe përkrahësisht më vokalë të tij si Shkëlzen Gashi dhe Rron Gjinovci. “Shenjë e keqe” dhe “seriozisht i shqetësuar”, ishin komentet e tyre ndaj monologut vetëlavdërues dhe vetëmadhërues të Kurtit.
“Muj me ju thanë shumë seriozisht që jam i shqetësum”, ka shkruar Gjinovci, teksa konstatuar prerazi se “ky njeri është i shkëputun prej realiteti”.
Gjinovci “përgjëron” opozitën të lë kritikat ndaj qeverisë në raport me dialogun por t’i kthehen opozitbërjen për qeverisjen e brendshme të Kurtit, për të cilën sferë Gjinovci shprehet “i shqetësuar”.
“Subhan-Allah! Ky mirë ke deri para rezultateve të PISA-s, çka e gjet kshtu përniher?“, ka shkruar mes tjerash ai.
Ndërkaq ish-këshilltari i tij Shkëlzen Gashi – i cili ndonëse i fascinuar pas Kurtit në një varg temash – e ka quajtur “shenjë të keqe” vetëmadhërimin e Kurtit për “rezultatet” që ai i projekton që “vendet e tjera as në ëndër nuk i shohin”.
“Edhe me qenë kështu, ti, Albin Kurti, nuk duhesh me e thanë këtë send. Kjo deklaratë është shenjë e keqe”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa opinionisti dhe gazetari Ilir Mirena ka parafrazuar një deklarim të ish-Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ndaj kryenegociatorit Besnik Bislimi se “nuk është mirë nga mendja.
“Që do të thoshte Isa Mustafa, as ky s’është mirë nga mendja”, ka shkruar Mirena teksa ia ka bashkëngjitur një foto-citat “Kurti mahnit partinë e tij: Në vendet e tjera s’i shohin as në ëndërr rezultatet e mia”. Nacionale