Në veri situata e qetë, mungon urdhri i Beogradit për dhunë
Ka disa ditë që në veri të Kosovës është qetë, sepse sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka munguar urdhëri për dhunë nga Beogradi.
Kurti ka folur të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i përket edhe vetë.
“Tash në ditët pas të hënës së 29 majit kemi pasur kryesisht ditë të qeta, nuk mund të thuhet paqësore, por kanë qenë ditë të qeta. Për këto dy javë kishim dy ditë e gjysmë dhunë mirëpo ditët tjera duke përfshirë edhe këto aktualet janë ditë të qeta. Ditë të qeta në veri të Kosovës, janë ato ditë kur nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Nuk ka dhunë, pa urdhër për dhunë. Kur s’ka urdhër për dhunë ka qetësi. Kur ka urdhër për dhunë, ka dhunë”, ka thënë Kurti. “Kjo tregon shumë qartë raportin shkak pasojë të gjendjes në të cilën ne jemi”.
Ai është shprehur se pavarësisht kësaj policia, organet e sigurisë, Qeveria e Republikës, partnerët ndërkombëtar janë vazhdimisht të bashkërenduar në mënyrë që rendi dhe ligji, kushtetutshmëria të vlejnë për të gjithë dhe të drejtat të garantohen për secilin.
“Ndërtesa e Komunës duhet të jetë për kryetarët e Komunave. Kryetarët e Komunave ku do të punojnë, nëse jo në zyrën e tyre në ndërtesën e Komunës? Për shkak të grupeve kriminale, ekstremistëve të dhunshëm ne jemi të detyruar që ta kemi aty njësinë speciale, e cila e mbron kryetarin tonë, kryetarin e Leposaviqit, i cili do të ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim. Dhe tashmë kjo po ndodhë në Komunën veriore të Mitrovicës, kryetari Erden Atiq po e konsolidon kabinetin e tij: nënkryetare e ka Katarina Adançiq, një serbe, kurse drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë, por edhe serbë edhe boshnjakë. Gjithashtu edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi e ka nënkryetare Dragana Miletiq, pra një serbe, ashtu sikurse kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci e ka nënkryetare Sllagjana Pantoviq. Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Republikës së Kosovës është Nenad Rashiq dhe unë bashkëpunoj shumë mirë me të. Ai e ka zëvendës Radoica Radomiroviq, i cili është një serb nga Leposaviqi, dhe ne punojmë bashkë pa dallim etnie e feje. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat e komunave veriore të Kosovës na u dashka kryetari të jetë veçse serb dhe veçse serbët mund të hyjnë në ato ndërtesa. Ndërtesat janë të Republikës, nuk mund të jenë të ndara për funksionim sipas përkatësisë etnike. Nuk ka asnjë ndërtesë publike, asnjë ndërtesë qeveritare, asnjë objekt shoqëror, kulturor, ekonomik në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Edhe në Qeverinë e Republikës edhe në Kuvendin e Republikës, nëpër të gjitha Komunat mund të hyjnë, të dalin, të zgjedhin, të punojnë qytetarët e vendit tonë pa dallim. Ndërtesat për vetëm një etni janë segregacion, janë apartheid”, ka thënë Kurti. “Ne këtë e kemi përjetuar shumë e gjatë në shekullin 20-të dhe nuk mund ta tolerojmë në shekullin 21. Jo për inat të ndokujt, por për hir të Republikës, që si sistem shoqëror e politik ka bindjen tonë të fuqishme dhe përkrahjen tonë të parezervë”.
Ai është shprehur se Kosova qëndron pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në tërë kuptimin e fjalës.
“Të politikës anti-Putin, vlerave demokratike e besimit në një të ardhme pa luftë, të bazuar në barazinë e drejtësinë e njerëzve. Në këtë drejtim qeveria jonë është aleat i pakompromis edhe i BE-së edhe i ShBA-ve. Rruga përpara për deeskalim dhe normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të Komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-së, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të Komunave”, ka thënë Kurti.
“Në përputhje me situatën e sigurisë dhe largimin e këtyre bandave kriminale dhe arrestimin e tyre, sepse do të duhej që të përballen me drejtësi, prania e Policisë së Kosovës në objektet e Komunave do mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale”. Sipas tij, dialogu për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të 18 marsit në Ohër duhet të intensifikohet. “Kemi nevojë për sekuensim të balancuar dhe fer të zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Marrëveshjen jo vetëm që e kemi pranuar të dyja vendet Kosova dhe Serbia, por ajo është edhe pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian të datës 9 shkurt 2023. Dhe, zgjedhjet e hershme në katër komunat veri për të siguruar përfaqësim, por deri atëherë kryetarët e ligjshëm do të ushtrojnë funksionin e tyre pa pengim”, ka thënë Kurti.
“Pra, ne e kuptojmë që kryetarët e rinj kanë marrë pak vota, mirëpo këta kanë marrë pak vota e ata tjerët kanë marrë aspak vota. Në anën tjetër, komuniteti serb besoj që e kupton qartë se ata duhet të dalin në zgjedhje dhe jo të bojkotojnë”. Sipas tij, po ashtu duhet të kuptohet se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike me fushatë fer dhe të hapur, pa frikë e pa kërcënime e pa banda kriminale.
“Unë e thirra në telefon dhe bisedova me Kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, dhe ndodhi diçka interesante, se për të thënë të drejtën kur e thirra kisha një si çik brenge se mos është mërzitur aty në zyre, u bënë dy javë. Por teksa unë isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte brengosur se mos jam mërzitur unë”, ka treguar Kurti. “Kështuqë unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë, prandaj biseda në vazhdim ishte përveçse e përzemërt edhe shumë e këndshme”.
Sipas tij, duhet theksuar që Kosova asnjëherë as nuk synon dhe as nuk e ka në tekstet e saj themeltare si shtet, diskriminimin e ndokujt. “Prandaj është mirë të përkujtojmë që komuniteti serb në Kosovë ka të drejta të zgjeruara në kuadër të asaj që quhet diskriminim pozitiv që do mund të shfrytëzohej më mirë, më shumë, më drejtë. 4% e popullsisë në Kosovë janë serbë, ata qeverisin në 27% të komunave apo 10 prej 38, ky është plani i Ahtisarit si thelb i Kushtetutës sonë”, ka kujtuar Kurti. “Mandej kjo përbën 1/5 e territorit të Kosovës ku janë të shtrira këto komuna, sa i përket sipërfaqes. Ata përbëjnë 17% të asamblistëve të gjitha kuvendeve komunale, dhe kanë 9% të vendeve të garantuara në kuvendin qendror, siç dihet ato 10 ulëset që janë aty dhe kanë fuqinë juridike për të bllokuar ligje”. Sipas Kurtit, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e administratës. “Këto janë disa prej të drejtave kryesore të cilat nuk i kanë shumica dërmuese e pakicave kombëtare në botë. Andaj ne edhe njëherë kërkojmë që këto të drejta të shfrytëzohen dhe për çfarëdo kërkese a nevoje unë e ripërsëris që nuk jam Kryeministër vetëm i shqiptarëve”, ka thënë ai.
Duke u rikthyer tek ngjarjet e muajit të kaluar, Kurti ka thënë se protestuesit ishin si milicë e paramilitarë, ndërkaq policët e ushtarët ishin si qytetarë. “Asnjë gabim nga ana e organeve të sigurisë. Milicë të dhunshëm si protestues, qytetarë paqësor si policë e ushtarë, e paparë në jetën e në përvojën time – një situatë të tillë nuk më ka rastisur ta shoh. E tash arsyeja pse në këto protesta del një numër i vogël i serbëve në tri komunat veriore nuk është vetëm se ata nuk duan të identifikohen e të jenë afër me milicë, që shtiren si protestues, si puna e atij Dragan Shmigiq; ata po ashtu, pra komuniteti serb, e ka parë një Polici të Kosovës tejet profesionale e cila nuk e zemëron askënd në situata të tilla”, ka thënë Kurti. “Shumë kollaj mund të ndodhin gabime e defekte të policisë, mirëpo as me 26 maj, as me 29 maj, as me 30 maj, dhe në asnjë ditë më pas, e as sot, asnjë gabim nga asnjë polic! Sepse policia jonë është policia më profesionale në rajon e cila i shërben shtetit më demokratik, jo vetëm në rajon”.