Në veri sulmohen gazetarët, vendosen barrikada të reja, deri kur kështu?
Reagim i KMDLNj-së
Sipas Q.R, të KMDLNj-së në Mitrovicë ekipi i Klan Kosova, për herë të dytë është sulmuar nga persona të maskuar duke penguar gazetarët në përmbushjen e mandatit të tyre, informimin e publikut në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të drejtë për zhvillimet në Veri të Kosovës e që paraqet interes për publikun ku mungesa e ligjit i ka zënë vend zbatimit të ligjit dhe ku shkelet njëra ndër të drejtat themelore të njeriut, e drejta për liri të lëvizjes. Sulmi i fundit ndaj ekipit të Klan Kosovës u bë Zupç të Zubin Potokut me gurë u sulmua vetura ku ishin gazetarët Qëndresa Bellagoshi dhe Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe vozitësi Elsad Sinani me ç’rast u lënduan gazetari dhe vozitësi i Klan Kosovës. Personat e maskuar, pas sulmit u tërhoqën në barrikadën e vendosur. Ky sulm dhe sulmet tjera kanë për qëllim krijimin e një terri informativ në këtë pjesë të Kosovës në mënyrë që më lehtë të shpërndahen lajmet e rreme nga Beogradi dhe qarqet ekstremiste të njësive paramilitare në Veri të Kosovës.
KMDLNj i konsideron këto sulme si shkelje të rënda të drejtave të njeriut, rrezikim të jetës së gazetarëve të cilët, ndonëse identifikohen lehtë si gazetarë, nuk mbrohen nga askush gjatë përmbushjes së mandatit të tyre, EULEX-i dhe KFOR-i në radhë të parë, si institucione garantuese të sigurisë për faktin se Policia e Kosovës është e penguar ta kryejë mandatin që i takon sipas ligjit. Po në të njëjtën kohë janë vendosur edhe dy barrikada duke e rritur numrin në 11-të që paraqet pengesa shtesë për lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, moshës, gjinisë, bindjeve fetare etj. Vendosja e barrikadave, në sy të ndërkombëtarëve është inkurajim për forcat ekstremiste dhe njësitë paramilitare, të armatosura dhe të maskuara dhe legalizim i shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut, nga e drejta për jetë si e drejta kryesore, te pamundësia e lirisë së lëvizjes, qasjes në shërbime publike, shkollim, shëndetësi dhe të tjera që e krijon një rreth të mbyllur për liri të lëvizjes, të ndara në baza etnike. Institucionet e Kosovës, përveç deklarimeve publike nga ambiente të sigurta nuk janë në gjendje, për shkaqe objektive dhe subjektive të ndërmarrin asnjë veprim që do t’i eliminonte këto barrikada fizike, si kusht i domosdoshëm për një marrëveshje politike që do ta rikthente qoftë edhe pjesërisht normalitetin në atë pjesë të Kosovës, e kontrolluar nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare!
Rritja e numrit të barrikadave kanë prapavijë ekskluzivisht politike, nuk kanë të bëjnë fare me shkelje të drejtave të njeriut ndaj serbëve dhe heqja e tyre po kushtëzohet dhe do të kushtëzohet me kërkesa politike. Në njërën anë e forcon pozitën negociuese të Serbisë kurse, në anën tjetër e dobëson pozitën e Kosovës.
KMDLNj fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë të ndërtojnë një konsensus shtetëror, politik dhe kombëtar në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe të mos shpenzojnë energji duke e luftuar njëra – tjetrën për faktin se problemi i madh dhe objektiv është me Serbinë. Nuk duhet të lejohet që anarkia institucionale të bartet në pjesët tjera të Kosovës. KMDLNj nuk sheh se në Veri të Kosovës mund të përshkallëzohet situata në përmasa që nuk mund të mbahet nën kontroll dhe përkujton institucionet e Kosovës se kanë përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese të krijojnë dhe garantojnë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa bërë asnjë dallim dhe, në të njëjtën kohë kërkon që të rezervohen nga deklaratat që do të kontribuojnë në tensionimin e situatës e që, në jo pak raste janë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me mundësitë për të vepruar. Policia e Kosovës nuk duhet të lejojë që në një vend ku e kanë shumë të qartë mandatin dhe detyrimin ligjor të lejojnë të barten me helikopter të EULEX-it, si akt mëshire. Policia e Kosovës duhet t’i lirojë linjat qarkullimit, komunikimit dhe të furnizimit, gjithnjë në përputhje me ligjin, si për vete ashtu edhe për të gjithë qytetarët e Veriut të Kosovës, pa bërë asnjë diskriminim. Sa më shumë që të zgjatet koha e barrikadimit dhe barrikadat, situata vetëm sa do të përkeqësohet.