NË VERI TË KOSOVËS, RUSIA E SHEH VETEN SI FAKTOR I NJË GJEOPOLIKE TË RE!

27 shtator 2021 | 13:23

Kosova nuk është në konflikt me serbët lokal, por Serbia është në konflikt me sovranitetin e Kosovës, të cilin ende e konsideron pjesë të Kushtetutës së saj. Ky është jetë sinjali që duhet të arrij në Bruksel dhe Washington, sepse agresioni serb mbi Kosovën nuk do të zmprapset përderisa Serbia nuk e ndryshon kushtetutën e saj dhe nuk e pranon realietin e ri të krijuar pas qershorit të vitit 1999.

Nga Mehmet PRISHTINA

Në veri të Kosovës po luhet drama e një shfaqjeje që ishte kurdisur para pesë viteve në Bruksel. Qeveria e Kosovës iu dha fund masave të njëanshme të Serbisë dhe filloi të zbatojë një marrëveshje të firmosur në Bruksel në vitin 2016. Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova nuk do të kërkojë për 5 vjet, që të ndryshojë targat serbe. Marrëveshja, e cila edhe ashtu ka qenë e padrejtë për Kosovë, skadoi më 15 shtator dhe është absurde sjellja e Beogradit i cili shtiret sikur është i tronditur nga ky vendim i Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që ka mundur t’i përgatis qytetarët serbë se çka i pret në kufinjtë e Kosovës pas 15 shtatorit 2021?
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për qëllime të veta, i nxori sërish në rrugë serbët lokal të Kosovës, duke u munduar t’i shes bashkësisë ndërkombëtare lajme të rrejshme mbi gjoja konfliktin e serbëve lokal me policinë speciale të Kosovës.
Në veri të Kosovës nuk ka kurrfarë konflikti me serbët lokal. Atje ka konflikt në mes të Serbisë që nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe realitetit të ri që ka ndryshuar në vitin 1999 pas ndyërhyrjes së NATO-s. Traumat e Serbisë për të mos njohur këtë realitet, kanë prodhuar qëndrime iracionale të Beogradit zyrtar, duke e shantazhuar Kosovën me vringëllima armësh pranë kufinjve të saj. Serbia ende sheh ëndrra zgjuar se Kosova është pjesë e saj, prandaj po sillet sikur po e mbron territorin e saj nga agresioni i jashtëm (!).
Serbia e ka ditur se pas 15 shtatorit skadon afati i marrëveshjejes së nënshkruar në Bruksel, mirëpo siç ka ndodhur edhe me marrëveshjet tjera, Beogradi zyrtar është i interesuar vetëm për ato pjesë që faktorizojnë serbët në Kosovë, siç është Bashkësia e komunave me shumicë serbe, të cilët po presin ta bëjnë realitet jashta vullnetit të popullit shumicë të Kosovës. Synimi përfundimtar dihet: Bosnjizimi i Kosovës.
Oligarkia politike e akademike e Serbisë tash e 100 vite ka aspirata armiqësore ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës specifikisht. Në anën tjetër Evropa që aktualisht dirigjohet nga BE, ende jeton në iluzionet e paqarta të njëfarë neutraliteti, duke i lënë hapësirë manovrimi Serbisë të forcojë ndikimin rus në Ballkan.
Në veri të Kosovës, nuk po ndodhë vetëm ajo çka mund të shihet me sy. Atje po ndodhë edhe diçka që nuk mund ta sheh syri i rëndomtë. Atje po rishfaqen aspiratat serbo-ruse për shtrirjen e ndikimit të tyre në këtë pjesë të Europës Juglindore, me çka Rusia synon të vendos një kufi të përhershëm të sferave të ndikimit, duke iu afruar ujërave të ngrohta me qëllim të neutralizimit të krahut lindor të NATOs.
Pas tetë ditëve, që kur filloi kjo dramë absurde në veri të Kosovës, në shoqërinë shqiptare, përfshirë edhe opozitën, për herë të parë u shfaq një klimë e mirëbesimit dhe bashkëpunimit. U zhvilluan disa takime të Kryeministrit me opozitën, kurse kjo e fundit doli me qëndrime unike sa i përket diagnostifikimit politik të situatës në veri. Në këtë kontekst duhet parë edhe vizitën e kryeminstrit Rama në Prishtinë.

Ky unifikimit i faktorit shqiptar mund të prodhojë një qëndrim më të qartë të bashkësisë ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të fundit. Nga qëndrimet konfuze e aspak pragmatike, ndoshta mund të kalohet në qëndrime më të qarta që do ta drejtonin nga Serbia gishtin e fajtorit për gjithë këtë rrëmujë. Por, kjo është e mundur vetëm nëse diplomacia amerikane tregohet më aktive, ashtu edhe siç ka disa shenja me angazhimin e Gabriel Escoba, i dërguari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor. Sa herë që zhvillimet në Ballkan nuk kanë qenë në vëmendjen e Washingtonit, por vetëm të Brukselit, kriza ka qenë e paevitueshme, madje e shprehur edhe në shifra rekord vikmimash, siç ishte rasti i Srebrenicës, ku boshnjakët paguan shtrenjtë neutralitetin e Evropës.
Kosova po e kalon edhe një test të qëndruesmërisë së saj institucionale ndaj sfidave të brendshme dhe të jashtme. Kjo çka po ndodhë në veri, është edhe një konfirmim i kësaj qëndrueshmërie, ndërkohë që diplomacia duhet ta bëjë punën e saj në dërgimin e sinjaleve të duhura në planin ndërkombëtar. Kosova nuk është në konflikt me serbët lokal, por Serbia është në konflikt me sovranitetin e Kosovës, të cilin ende e konsideron pjesë të Kushtetutës së saj. Ky është jetë sinjali që duhet të arrij në Bruksel dhe Washington, sepse agresioni serb mbi Kosovën nuk do të zmprapset përderisa Serbia nuk e ndryshon kushtetutën e saj dhe nuk e pranon realietin e ri të krijuar pas qershorit të vitit 1999.
Bashkësia ndërkombëtare, sidomos NATO dhe SHBA në vitin 1999 e përzuri Serbinë nga Kosova dhe ia mbylli dyert asaj që të mos kthehet në vendin e krimit. A do të mjaftoj kjo nëse Serbisë nuk i vendoset edhe një kusht: Që ta largojë Kosovën nga Kushtetuta e saj, sepse ajo ende Kosovën e trajton si pjesë të territorit të saj. Situata në veri e vërteton këtë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron për vizitë në…