Në veri të Mitrovicës nesër hiqet karantina
Veriu i Mitrovicës nga nesër do të hiqet nga karantina.
Derisa në pjesën jugore sonte dolën pozitivë pesë familjarë të pacientes së parë të këtij qyteti.
Personat e infektuar janë familjarë të infektuares së parë, të cilët gjenden me vendbanim në fshatin Rekë.
Kryetari Agim Bahtiri ka thënë se të gjithë të infektuarit kanë gjendje stabile shëndetësore dhe janë në vetizolim dhe se pas 14 ditësh do të testohen prapë.
“Sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 49 mostra të marra nga personat që kanë pasur kontakt me të rezultuarën të infektuar nga Mitrovica para dy ditësh, ku 5 raste kanë dalë pozitivë me koronavirusin Covid-19”, ka shkruar Bahtiri.
Të gjithë kolegët e punës së pacientes kanë dalë negativë.
Bahtiri ka bërë thirrje te qytetarët që të jenë të kujdesshëm edhe më shumë pas heqjes së karantinës në veri të Ibrit. “I lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19. Rruga e vetme për mbrojtje nga ky virus është zbatimi strikt i udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”.