Në vitin 2024 një Olimpiadë që lejon dopingun do të organizohet në Australi

27 qershor 2023 | 12:54

Në Australi pritet të organizohet për herë të parë një Olimpiadë për sportistët e dopuar apo ku lejohet dopingu. Ai që do ta organizojë një event të tillë është Aron D’Souza, presidenti i “Enhanced Games”, që ka si objektiv të legjitimojë përdorimin e substancave që ndihmojnë në arritjen e rezultateve sportive.

Në këtë event “olimpik”, që do të ketë edicionin e tij të parë, do të jenë 5 disiplinat ku do të garohet: Atletikë, not, peshëngritje, gjimnastikë dhe sportet luftarake. Ky event, që pritet të ketë moton “doping i lirë në sport të lirë”, pritet të zhvillohet në dhjetor të vitit 2024.

“Modeli i Olimpiadës tashmë është prishur. IOC është një parti-shtet prej më shumë se 100 vitesh, ndaj jemi gati t’i shpallim betejë. Sportistët janë madhorë dhe kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan me trupin e tyre. Trupi im, është zgjedhja ime. Trupi yt, është zgjedhja jote”, tha më tej Aron D’Souza.

“Asnjë shtet apo Federatë nuk duhet të marrë vendime të tilla duke dënuar sportistët e veçanërisht për përdorim doping. Ato janë produkte të aprovuara nga enti shëndetësor”, tha D’Souza.

Në faqen zyrtare të kësaj Olimpiade është edhe një video, ku duket një njeri që pretendon se ka thyer rekordin e 100 metrave të Usain Bolt. “Ky është njeriu më i shpejtë në botë. Theu rekordin e Bolt dhe zhbllokoi potencialin e vërtetë atletik të trupit të tij. Bota nuk është gati për të, e urrejnë, shpifin ndaj tij, por ai do të hakmerret”, u shpreh D’Souza.

Në këtë faqe janë listuar edhe rekordet botërorë të anuluar si pasojë e dopingut. Komiteti Olimpik Australian e konsideron këtë ide mjaft të rrezikshme. “Nuk dimë asgjë për këtë organizim, por sporti duhet të jetë i pastër dhe i sigurt për të gjithë sportistët”, thanë drejtuesit e olimpizmit australian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me pankarta në duar serbët në Graçanicë kanë nisur marshin…