Në Vitomiricë arrestohet një person për posedim të paautorizuar të armës
Të premten Policia e Kosovës e ka arrestuar një të dyshuar në Vitomiricë pasi ia ka gjetur një armë për të cilën nuk kishte pasur autorizim.
“Më datë 26.11.2021, në orën 00:10, Policia e Kosovës, DRPK ‘Perëndimi’ Gjakovë, në këtë rast Stacioni për Mbikëqyrje të Kufirit në Vitomiricë/Radavc, gjatë punës policore operative, në Bjeshkët e Vojdullës, ka ndaluar një automjet me targa vendore, të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar T.J. ( 1970)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Njësitë policore kufitare gjatë kontrollimit të automjetit në ulësen e përparme kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë të tipit AK -47, një karikator për AK-47, 31 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm”.
Pas shqyrtimit të rastit, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ndaj personit të arrestuar dhe i cili vazhdon në procedurë të rregullt, teksa arma dhe municioni i janë sekuestruar.