Në vjeshtë do të ketë zgjedhje të parakohshme
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka thënë se procesi zgjedhor në këtë parti është duke u zhvilluar në frymë pozitive.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se zgjedhjet do t’i shërbejnë demokracisë dhe fuqizimit të brendshëm.
“Aktualisht nëpër degë është duke u zhvilluar një garë në një konkurrencë. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë që t’i shërbejë demokracisë dhe fuqizimit të brendshëm. Konsideroj se gjithçka është duke shkuar në drejtim pozitiv”, ka deklaruar Ferati, duke bërë me dije se nuk do të kandidojë për kryetar të Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Ai nuk ka dashur ta komentojë garën për të parin e LDK-së, duke thënë se është ende herët të flitet për një gjë të tillë.
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka folur edhe për zgjedhjet lokale në veri, me ç’rast ka thënë se pjesëmarrja e Listës Serbe në këtë proces tregon se dorëheqjet kanë qenë të ngutshme.
Kurse sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë, Ferati ka thënë se ky proces është sfidues, prandaj kërkon konsensus politik.
“Është pak e dhimbshme sa i përket përfaqësimit të shtetit që nuk po arrihet një konsensus që të jenë të gjitha forcat aty kur është në pyetje çështja e dialogut apo të tjerat ngaqë ka mungesë të besimit që është kultivuar nga e kaluara. Tash për tash dialogu ka ngecur. Dialogu si i tillë është sfidues dhe dëshiroj që të jenë të gjitha partitë në tryezë kur është në pyetje fati i shtetit”, është shprehur ai.
Ferati ka vlerësuar se takimi i Berlinit përfundimisht nuk do të qartësojë të ardhmen e dialogut por, sipas tij, mund të jetë një nxitje për të sjellë diçka pozitive.
Në këtë intervistë ish-deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, ka folur edhe për proceset e tjera në vend, duke thënë se zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit vazhdojnë të jenë problemet kryesore në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se qeverisja aktuale ka shumë probleme dhe nuk po merret me shqetësimet e qytetarëve.
Në këtë kontekst, Ferati ka deklaruar se është në interes të Kosovës që të ketë zgjedhje të reja. Ai ka thënë se në vjeshtë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ferati ka pohuar se zgjedhjet do të mbahen në shtator ose në tetor. “Unë mendoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe është në interes të Kosovës që të ketë zgjedhje. Besoj se do të krijohet klima për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Pres që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në vjeshtë, do të thotë në shtator ose në tetor”, ka theksuar Ferati.
“Epoka e re”: Z. Ferati, si e vlerësoni ecurinë e procesit zgjedhor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)?
Ferati: Është një proces normal të cilit i kanë paraprirë vendimet e organeve përkatëse. Aktualisht nëpër degë është duke u zhvilluar një garë në një konkurrencë. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë që t’i shërbejë demokracisë dhe fuqizimit të brendshëm. Konsideroj se gjithçka është duke shkuar në drejtim pozitiv.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja nga këto zgjedhje? Kush duhet ta drejtojë LDK-në?
Ferati: Nuk e di meqë ende nuk dihet se kush ka ambicie dhe kush do të konkurrojë. Shumë do të varet nga delegatët dhe se si do të shkojë rrjedha nëpër degë. Pastaj kur të vijë pjesa finale, do të mund të parashikonim dhe të qartësonim diçka. Tash për tash nuk flitet shumë për liderin e ardhshëm të LDK-së, por vetëm në nivel të degëve. Kështu që, është herët për të biseduar për këtë çështje.
“Epoka e re”: Megjithatë, në opinion janë përfolur disa emra të cilët synojnë postin e kryetarit të LDK-së siç janë: Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu dhe Vjosa Osmani.
Ferati: I kemi dëgjuar nëpër medie deklaratat e tyre se kanë apo nuk kanë ambicie. Një numër i madh i tyre kanë thënë se do të shikojnë më vonë, kurse disa edhe nuk e kanë përjashtuar mundësinë për të qenë kandidat. Mirëpo është herët të thuhet cili është favoriti.
“Epoka e re”: Ju do të jeni pjesë e procesit zgjedhor?
Ferati: Tash për tash nuk jam, sepse dega e Mitrovicës ende nuk i ka filluar zgjedhjet. Kur të merret vendimi për të pasur zgjedhje në Mitrovicë atëherë do të shikoj.
“Epoka e re”: Do të kandidoni për kryetar të Degës së LDK-së në Mitrovicë?
Ferati: Jo, nuk do të jem kandidat për kryetar të Degës së LDK-së në Mitrovicë.
“Epoka e re”: Z. Ferati, si i komentoni zhvillimet politike në vendin tonë?
Ferati: Sipas mendimit tim, është një qeverisje me shumë probleme. Më shumë merren me tema politike dhe më pak flitet për shqetësimet e qytetarëve. Kosova ende i ka ato të metat e mëdha siç janë: zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit. Këto janë pikat më të dobëta dhe mendoj se kjo qeveri ende nuk ia ka dalë për të pasur ndonjë ndryshim të dukshëm nga gjendja që ka qenë më herët. Asnjëherë gjendja nuk ka qenë e mirë, por tash kam përshtypjen se nuk po shihen as tentime serioze që të ndryshohet diçka në këtë drejtim. Nuk po shoh se ka qartësim dhe vullnet për të pasur sukses dhe ndryshim në këto pika që i përmenda më lart.
“Epoka e re”: Si e keni parë rolin e opozitës dhe të LDK-së në veçanti?
Ferati: Partitë opozitare i kanë shfrytëzuar mundësitë e tyre për të treguar se janë opozitë edhe në kuptimin për të mos u pajtuar me shumë çështje dhe në këtë drejtim e shoh edhe rolin e LDK-së. Është pak e dhimbshme sa i përket përfaqësimit të shtetit që nuk po arrihet një konsensus që të jenë të gjitha forcat aty kur është në pyetje çështja e dialogut apo të tjerat ngaqë ka mungesë të besimit që është kultivuar nga e kaluara. Përndryshe, mendoj se opozita ka një komunikim të mirë me qytetarët dhe para tyre po i reflekton të gjitha vërejtjet dhe qëndrimet. Është një opozitë e mirorganizuar.
“Epoka e re”: Në mungesë të arritjes së këtij konsensusi për të cilin ju po flisni, cila do të jetë rrjedha e procesit të dialogut Kosovë – Serbi?
Ferati: Tash për tash dialogu ka ngecur. Dëshiroj që të jenë të gjitha partitë në tryezë kur është në pyetje fati i shtetit.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, sa ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë?
Ferati: Fatkeqësisht, sa unë po shoh, mundësitë janë të vogla dhe kjo është për keqardhje.
“Epoka e re”: Eventualisht mund të presim ndryshim të qëndrimit të LDK-së për t’u bërë pjesë e dialogut?
Ferati: LDK-ja ka thënë se nuk do të jetë pjesë e dialogut në këtë format dhe me këtë qasje që ka presidenti dhe partitë në pushtet. Këta sillen sikur thonë se ‘kur më duhesh eja, por nëse nuk më duhesh, nuk të përfilli’. Prandaj LDK-ja nuk është e interesuar të marrë pjesë në këtë format dhe me këtë qasje.
“Epoka e re”: Samiti i Berlinit që do të mbahet më 29 prill. A prisni ta qartësojë të ardhmen e dialogut ndërmjet dy vendeve?
Ferati: Nuk pres që takimi i Berlinit përfundimisht ta qartësoj të ardhmen e dialogut, megjithatë mund të jetë një nxitje dhe mund të ketë diçka pozitive.
“Epoka e re”: Po sa iu përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, cilat janë pritjet e juaja?
Ferati: Kjo është një mundësi që të shihet edhe një herë se dorëheqjet e kryetareve në veri kanë qenë të ngutshme që kanë çuar në rrugë qorre. Është bërë mirë që janë shpallur zgjedhjet dhe tani mbetet të shihet nëse Lista Serbe do t’i bojkotojë apo jo, kurse rezultati le të jetë pjesë e vullnetit të qytetarëve. Mendoj se kjo është edhe një dëshmi se dalja në zgjedhje e Listës Serbe është pranim automatikisht se ata janë nxituar dhe kanë dashur t’i shantazhojnë institucionet e Kosovës me dorëheqjet e tyre.
“Epoka e re”: Z. Ferati, opozita që nga formimi i kësaj qeverie ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, por pozita pretendon se mund ta çojë deri në fund mandatin. Do të ketë zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti?
Ferati: Unë mendoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe është në interes të Kosovës që të ketë zgjedhje. Besoj se do të krijohet klima për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Epoka e re”: Kur saktësisht parashihni mbajtjen e këtyre zgjedhjeve?
Ferati: Pres që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në vjeshtë, do të thotë në shtator ose në tetor.
Shqipe HETEMI