Në vjeshtë do të krijohet një task forcë për pastrimin e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një takim pune me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, zëvendësministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Besim Demi, përfaqësuesin e Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka dhe koordinatorin e iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, me të cilët ka biseduar rreth parapërgatitjeve për aksionin e përgjithshëm që do të zhvillohet për pastrimin e Kosovës, iniciativë kjo e ndërmarrë nga kryeministri Haradinaj.
Me këtë rast kryeministri Haradinaj ka thënë se kjo iniciativë për pastrimin e Kosovës, duhet ta ketë vëmendjen e të gjitha institucioneve dhe të qytetarëve, pasi që edhe 19 vjet pas lufte ende nuk është ndërmarrë një aksion i përgjithshëm për ta bërë Kosovën më të bukur dhe më të pastër.
Kryeministri Haradinaj idenë për pastrimin e Kosovës e pati dhënë gjatë forumit të Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm, që i dedikohej mjedisit.
“Gjendja e mjedisit në Kosovë nuk është e kënaqshme, prandaj është koha e fundit që t’i kushtojmë vëmendjen e duhur ambientit, të krijojmë hapësira të gjelbra dhe ta ruajmë natyrën”, është shprehur Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se në Kosovë është filluar që të investohet në energji të ripërtëritshme dhe të pastër e cila do ta ruaj shëndetin e qytetarëve dhe ambientin nga ndotja, por se pastrimi gjeneral i Kosovës është nismë tejet e nevojshme dhe se tani është koha e fundit për të reaguar.
Takimi i sotëm me përfaqësuesit e institucioneve është i pari, që do t’i paraprijë krijimit të një task force të përgjithshme dhe një plani operativ që do t’i përfshijë gjithë akterët institucional dhe përfaqësues nga organizatat jo-qeveritare për pastrimin gjeneral të Kosovës, i cili do të nis në vjeshtë për të vazhduar deri në fund të vitit.
/Epoka e re/