NË VLORË DO T’I BËJMË BASHKË TË GJITHË KORIFEJT E KOMBIT

29 nëntor 2021 | 11:39

Bustin që po e vendosim sot këtu, do të jetë edhe një orë mësimi më shumë për nxënësit e shkollave të Vlorës, sepse sa më shumë që ata të dijnë për Isa Boletinin, sigurisht që do të dijnë edhe për Kosovën dhe gjithë viset shqiptare në Ballkan, të cilat, kush më shumë e kush më pak, kontribuan në pavarësimin e Shqipërisë më 28 nëntor 1912

Nga Mehmet PRISHTINA

Sot, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, Vlora dhe vlonjatët po e mirëpresin në mesin e tyre kalorësin e Pavarësisë nga Kosova, heroin tonë kombëtar, Isa Boletinin, të derdhur në bronz.

Një komb është i përparuar jo vetëm për shkak të zhvillimit ekonomik e teknologjik në ditët e sotme, por edhe për shkak të qëndrimit që mban ndaj të kaluarës. Sa më dinjitoz të jetë ky qëndrim, aq më e sigurt është e ardhmja e kombit.

Ne sot në Vlorë, bashkë me vëllezërit vlonjat, në krye me krerët e bashkisë, po dëshmojmë se jo vetëm që nuk e kemi harruar të kaluarën tonë të mbushur me plot sakrifica e sfida, por po u lëmë porosi brezave pas nesh se liria dhe pavarësia jonë kombëtare u bënë pjesë e pandarë e gjeografisë sonë etnike, duke përfshi edhe viset shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë Lindore e deri në skajet më të largëta të Çamërisë.

Pra, ne sot po e dëshmojmë se jo vetëm që nuk e kemi harruar heroin tonë kombëtar Isa Boletinin, por po duam që emrin dhe veprën e tij ta përjetësojmë në këtë shtatore, e cila do të jetë simblolika më e qëlluar e evokimit të aspiratave tona të përbashkëta kombëtare.

Bustin që po e vendosim sot këtu, do të jetë edhe një orë mësimi më shumë për nxënësit e shkollave të Vlorës, sepse sa më shumë që ata të dijnë për Isa Boletinin, sigurisht që do të dijnë edhe për Kosovën dhe gjithë viset shqiptare në Ballkan, të cilat, kush më shumë e kush më pak, kontribuan në pavarësimin e Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Akti final i Pavarësisë së Shqipërisë pati edhe zhvillimin paraprak të ngjarjeve, të cilat rrodhën jo gjithmonë ashtu siç e deshën shqiptarët, sepse në aktin e Pavarësisë munguan edhe disa figura të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, të cilët kishin qenë promotor të pavarësisë. Me këtë duam të themi se Isa Boletini nuk ishte i vetëm në karvanin e gjatë të përpjekjeve e sakrificave për shpalljen e Pavarësisë, pork krah për krah me të ishin edhe Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri e shumë emra të shquar të lëvizjes sonë kombëtare. Por, në aktin e pavarësisë ata munguan dhe siç e dini kjo ndodhi si pasojë e zënien peng të tyre nga ana e serbëve vetëm pak javës para shpalljes së Pavarësisë, konkretisht më 14.10.1912 . Prandaj Hasan Prishtina me shokët tjerë atë ditë të shenjtë të shpalljes së pavarësisë jo vetëm që mungoi por la të hapur një detyrim tonin ndaj tij, të cilin shpresoj që së shpejti do ta përmbushim. Hasan Prishtina atë ditë mungoi, por nuk mungoi fryma e bashkimit që ai e kishte kultivuar në mesin e bashkëluftëtarëve e bashkëmendmitarëve, si në aspektin mobilizimit të përtgjithshëm në kryengritjet antiosamne, ashtu edhe në idenë sublime për liri dhe pavarësi kombëtare. Idetë madhore të Hasan Prishtinës ishin prezente edhe më 28 nëntor 1912, por mosprania e tij fizike na obligon gjithë neve që ta rikthejmë figurën e Hasan Prishtinës në vendin ku e meriton, në Sheshin e Pavarësië në Vlorë, krah për krah Isa Boletinit dhe heronjve tjerë të kombit tonë. Pra, ashtu siç jemi dakorduar me krerët e Bashkisë së Vlorës, Hasan Prishtina në një të ardhme të afërt do t’i bashkohet korifenjve të kombit në Vlorë dhe shtatorja e tij do ta bëjë edhe më kuptimplot kujtimin për të gjitha sakrificat që janë bërë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së kombit tonë.

Vlorë, 28 nëntor, 2021

(Fjalë përshëndetëse me rastin e sjelljes së bustit të Isa Boletinit nga Mitrovica në Vlorë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar presidentit slloven…