Në xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe rreth trafikimit të qenieve njerëzore dhe dukurisë së lypjes
Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim ef. Tërnava, sot në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe e përbashkët.
Tema e kësaj hytbeje ishte “Dukuria e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dukuria e lypjes si forma të shkeljes së të drejtave dhe dinjitetit njerëzor”.
Kjo hytbe ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjegjësisht Sektorit Qendror të Hetimeve Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz-DKKO të Policisë së Kosovës
Njoftimi i plotë i BIK-ut:
Në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe kushtuar dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore dhe dukurisë e lypjes
Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot me 18 tetor në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe e përbashkët. Tema e kësaj hytbeje ishte “Dukuria e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dukuria e lypjes si forma të shkeljes së të drejtave dhe dinjitetit njerëzor”. Kjo hytbe ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme gjegjësisht Sektorit Qendror të Hetimeve Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz-DKKO të Policisë së Kosovës.
Në mes të tjerash në këtë hytbe thuhet Ndër dukuritë negative nga të cilat është prekur shoqëria jonë, janë edhe trafikimi i vajzave për qëllime prostitucioni dhe lypja në rrugë, gjegjësisht shfrytëzimi i njerëzve dhe detyrimi i tyre për të lypur në rrugë. Ato nga viti në vit sa vijnë e bëhen me shqetësuese. Statistikat tregojnë për rritjen e tyre. Më e keqja qëndron në atë se të përfshirë në këto dukuri, veçmas në këtë të lypjes në rrugë, janë edhe prindërit.
Së këndejmi, ne, si institucione fetare, me përgjegjësinë që kemi para Allahut, pastaj para njerëzve, si dhe në bashkëpunim me institucionet relevante të vendit tonë, kemi trajtuar dhe trajtojmë në vazhdimësi në xhamitë tona dukuri të cilat na rrezikojnë të gjithë. Këtë të xhuma, duke marrë shkas edhe Ditën Evropiane Kundër Trafikimit të Njerëzve (18 tetor 2019) që ka rastisur të jetë sot, kemi pranuar me kënaqësi t’i përgjigjemi thirrjes për bashkëpunim dhe t’u bashkëngjitmi kampanjave që luftojnë këto dukuri. Ruajtja e nderit dhe e dinjitetit njerëzor është kërkesë hyjnore. Si krijesë e dalluar nga Zoti (Isra: 70), njeriu duhet të trajtohet ndershëm dhe me sjellje të lartë. Këtu mbase qëndron arsyeja pse Islami i ka vënë vetes për mision realizimin e pesë objektivave kryesorë në jetën e njeriut, një ndër të cilët është dhe ruajtja e nderit. Në anën tjetër, cenimin e këtij objektivi e ka konsideruar njërin ndër mëkatet më të mëdha. Prostitucioni është mëkat që nuk rrezikon vetëm moralin, por edhe besimin. Allahu në Kuran na urdhëron që të shmangim çdo rrugë që mund të na çojë te prostitucioni:
“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” [Isra: 32]
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ndodh që njeriu të bëjë prostitucion e gjatë asaj kohe të jetë besimtar…” [Buhariu]
Në këtë kërcënim nuk hyjnë vetëm ata që ushtrojnë praktikisht këtë vepër të fëlliqur, por edhe gjithë të tjerët që në një formë ose tjetër i kontribuojnë asaj. Le ta dinë se të tillët, nëse mund t’u shpëtojnë dënimeve të ligjit në këtë botë, në botën tjetër nuk kanë për t’i shpëtuar dënimit.
“Ata që dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.” [Nur; 19]
Si do të ndiheshin këta njerëz nëse e shfrytëzuara për prostitucion do të ishte nëna, gruaja, vajza apo motra e tij?! Në një hadith qëndron se një djalosh kishte kërkuar leje nga Pejgamberi a.s., që të ushtronte marrëdhënie të paligjshme me vajza të huaja. Pejgamberi a.s. iu drejtua: A pranon që dikush ta bëjë këtë me nënën tënde?- e pyeti. Jo – iu përgjigj. As njerëzit nuk duan që dikush t’ua çnderojë nënat –ia ktheu Pejgamberi a.s. Pastaj e pyeti nëse pranonte një gjë të tillë për vajzën, gruan, hallën dhe tezen e tij, dhe në të gjitha rastet përgjigjja ishte negative. Kështu, nëse nuk do që të tjerët ta çnderojnë nënën, vajzën, motrën, hallën, tezen, as ti mos ua çndero atyre ato.” [Transmeton Ahmedi] Dukuria tjetër që rrënon nderin dhe karakterin është ajo e lypjes. Ne jemi dëshmitarë se si kjo dukuri kohëve të fundit është shndërruar në biznes. Njerëz me qëllime të ulëta shfrytëzojnë të tjerët, djem e vajza, të vjetër e të rinj, e madje edhe fëmijë, që të lypin. Lypja është njollë në karakterin e njeriut, veçmas të besimtarit. Allahu duke i përshkruar besimtarët e sinqertë na tregon se janë aq shumë të përmbajtur nga lypja me gjithë varfërinë që kanë saqë, dikush që nuk i njeh, mund t’i llogarisë pasanikë (Bekare: 273).
Kjo për shkak se lypja shkatërron krenarinë dhe dinjitetin. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Lypësi vazhdon së lypuri derisa të dalë para Allahut në Ditën e Llogarisë kur do të mbetet pa asnjë copë mishi në fytyrë.” [Buhariu]. Imam Neveviu ka shpjeguar se “mbetja e fytyrës pa mish” interpretohet si humbje e nderit dhe krenarisë, si poshtërim dhe përbuzje, derisa ka cituar edhe dijetarë të tjerët, të cilët interpretimin e bëjnë tekstualisht duke thënë se, përderisa e ka shitur fytyrën, pra nderin dhe krenarinë dhe ka pranuar ta shtrijë dorën pa pasur nevojë, në këtë botë, atëherë në botën tjetër dënimin do ta ketë sipas llojit të veprës. Më saktë, ringjallet para Zotit ndërsa fytyrën e ka të zhveshur nga mishi. E tëra kjo si dënim për veprën e shëmtuar që ka bërë.
Në përfundim të kësaj hytbeje, duam të jua themi dy porosi të vlefshme për luftimin e dukurisë së lypjes:
1) Të kemi kujdes për edukimin e fëmijëve ne si prindër, pasi që, siç tregojnë të dhënat që kanë organet e sigurisë, për shumë raste të lypjes në rrugë, fajtorë po gjenden edhe vetë prindërit.
2) Siç po na porositin institucionet e sigurisë që lypsarëve mobilë të mos u japim para, le t’u japim për të ngrënë e për të pirë e për t’u veshur, por jo para, sepse këto përfundojnë në xhepat e trafikantëve.
/Epoka e re/