Në zgjedhjet e përgjithshme mbështeti Albin Kurtin, tani përkrah Imri Ahmetin
Një mërgimtar në zgjedhjet e përgjithshme e ka përkrahur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për kryeministër të vendit. Madje, ai kishte vendosur një fotografi të madhe të Kurtit në pjesën e përparme të veturës së tij.
Në një fotografi të publikuar këto ditë në rrjetet sociale, mërgimtari ka ardhur nga diaspora për ta përkrahur kandidatin e LDK-së për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti.
Mërgimtari ka vepruar njëjtë si për zgjedhjet e përgjithshme, duke e vendosur në veturën e tij një fotografi të madhe në përkrahje të Imri Ahmetit.
Lidhur me këtë ai e ka sqaruar se pse në zgjedhjet e përgjithshme e ka përkrahur Kurtin, ndërsa në këto lokale po përkrah kandidatin e LDK-së, Imri Ahmeti.
“Prej diasporës kemi ardhur ekstra me ia uruar fitoren Imri Ahmetit. Në zgjedhjet e kaluara e kam pas Albinin, edhe e kam cek edhe më parë, se për komunale Imri Ahmeti punon mirë. Unë them se Imri Ahmeti është kulmi i Lipjanit dhe kampion i Lipjanit”, ka thënë ai për “Ksp”.