Nedvedi sqaron të ardhmen e Ronaldos dhe Dybalas
Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved, hedh poshtë çdo mundësi të largimit të Cristiano Ronaldos nga bardhezinjtë.
“Ronaldo? Po, do të kthehet. Është lajmëruar për të hënën, do të qëndrojë me ne”. Një përgjigje e shkurtër dhe e prerë, që le pak vend për dyshime. Nga CR7 te Paulo Dybala, që ende nuk ka rinovuar kontratën.
“Marrëdhëniet nuk ishin të ftohta, ne jemi në kohën”, ka shtuar Nedved pas miqësores së fituar 3-1 kundër Cesenës. “Cherubini është në kontakt me agjentin e tij, ai do të mbërrijë në ditët e ardhshme, do të ketë një takim, gjithçka po shkon siç duhet”.
Për Chiellinin, kontrata e të cilit skadoi më 30 qershor, Nedved u shpreh: “Ai është me pushime, kemi folur me të. Le t’i japim kohë të rimëkëmbet dhe pastaj do të flasim për të ardhmen me qetësi. Bashkëjetesa midis Ronaldos dhe Dybalas? Është kënaqësi të kesh dy lojtarë të këtij niveli, Max ka shumë përvojë. Tani ai nuk i ka në dispozicion dhe po përmirëson lojtarët e rinj”.