Neglizhenca e investitorit privat dhe inspekcionit të komunës së Prishtinës lë pa ujë të pijshëm tri zona
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar të mërkurën konsumatorët e saj, se duke filluar nga Pallati i Drejtësisë, fshati “Amerikan” dhe lagjja Veternik se janë me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm.
“Më 4 korrik është dëmtuar tubi PE 250 mm me një gjatësi 140 metra, nga investitorë privat të cilët janë duke ndërtuar objekte kolektive në afërsi të Pallatit të Drejtësisë. Inspekcioni Komunal atë ditë ishte në vendngjarje dhe ka obliguar investitorin që të marrë masa sa më shpejtë në sanimin e gjendjes së krijuar. Për një kohë të gjatë nuk u morën masa konkrete edhe pse natyra e dëmtimit të tubacionit të ujit ishte e vështirë për sanim në kohë të shkurtër. Me këtë rast, duke mos parë asnjë interesim nga ana e palëve të tjera, KRU ‘Prishtina’ mori përsipër dëmin e shkaktuar nga dikush tjetër dhe e sanoi atë për hir që konsumatorët e zonave të lartcekura të mos mbesin pa ujë. Sanimi zgjati gjithë ditën, deri në mesnatë. Po atë ditë, iu është rekomanduar investitorit që të merren masa konkrete mbrojtëse që të parandalohet ndonjë defekt më i madh, me ç’rast sërish mund ta pësonin konsumatorët e atyre lagjeve”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Sipas kësaj kompanie, të martën pas neglizhencës së investitorit dhe Inspekcionit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka ardhur deri te kolapsi i terrenit dhe është shkaktuar defekt edhe më i madh, ku përveç zonave të lartcekura të mërkurën pa ujë të pijshëm ka mbetur edhe Pallati i Drejtësisë në tërësi.
/Epoka e re/